A do të fillojë mësimi në shkolla më 1 shtator?

Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se sot ka nënshkruar sot udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit të ri shkollor 2021/2022.
Nagavci ka bërë të ditur se mësimi pritet të fillojë më 1 shtator me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar, mësimi pritet të fillojë më 1 shtator. Ne synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore.Kjo edhe për shkak se, të gjitha studimet tregojnë se pasojat tek fëmijët për shkak të mbylljes së shkollave kanë qenë të mëdha.
Për më tepër, është konstatuar se mbyllja e shkollave vitin e kaluar ka shkaktuar pengesa në qasjen në mësim të rregullt, por edhe pasiguri e stres tek mësimdhënësit në aplikimin e metodave për mbështetjen e nxënësve për edukimin në distancë. Bazuar edhe në rekomandimet për edukimin në kohë të pandemisë COVID-19 të lansuara në Qershor të vitit 2021 nga Grupi Këshillues Teknik (themeluar nga Drejtori Regjional i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për regjionin e Evropës), objektiv parësor duhet të jetë të mbajturit e shkollave të hapura dhe funksionale, dhe strategjitë shoqëruese siç janë aplikimi i masave mbrojtëse nga infektimi”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo gjithashtu ka shtuar se në mënyrë që të mos na përsëritet situata e vitit të kaluar, zgjidhja e vetme është vaksinimi i mësimdhënësve dhe punonjësve administrativ./21Media

Back to top button