A do të jetë Jon Ajdini shqiptari i parë që do të përfaqësojë Maqedoninë në Eurovision?

 
Pas hyrjes në garë me pesë kandidatë të tjerë, Jon Ajdini, emri artistik i të cilit është Yon Idy, e promovoi këngën “Dreams” në emisionin Stisni Play, në kuadër të përzgjedhjes kombëtare për këngë dhe përfaqësues në Eurovision 2022. Këtë vit publiku i Maqedonisë së Veriut do të marrë pjesë me votim online në përzgjedhjen e këngës e cila do ta përfaqësojë vendin tonë në Torino.
Yon Idy është autor komplet i këngës “Dreams”, ndërsa në orkestrim i ndihmoi Angel Qosevi. Është mirënjohës për besimin dhe mundësinë për të qenë përfaqësues potencial i Maqedonisë. Sipas tij, Eurovisioni është një ngjarje në të cilën shfaqen kulturat e ndryshme në mënyrën më të bukur, dhe kjo është muzika.
“Të gjithë ëndërrojmë për një dashuri të përsosur dhe në refrenin e këngës Dreams flitet për një dashuri pikërisht të tillë – të përsosur, nga ëndrrat. Strofat pasqyrojnë çaste reale, konflikte dhe mosmarrëveshje të jetës sime private dhe na kthejnë në realitet dhe na e kujtojnë se për të qenë diçka kaq e përsosur, duhet vërtet të përpiqemi”, thotë Yon Idy.
Ky është linku në të cilin mund ta dëgjoni këngën “Dreams”.
https://evrovizija.mrt.com.mk/
Me stilin e tij të veçantë të interpretimit, Yon Idy duket si një muzikant i huaj i cili rastësisht është gjetur në skenën tonë. “Si nga Shkupi?!”, “Po kjo tingëllon botërore!”, “Mendoja se është ndonjë i huaj”, janë pjesë e reagimeve në portalet dhe rrjetet sociale, ndërsa “Botërore, por e jona” tashmë i është bërë emri i dytë gjatë paralajmërimit të këngëve të tija në stacionet e radiove, si dhe gjatë prezantimit të tij në portalet vendore. Tërësisht origjinal, modest, por sharmant, në mënyrë emotive i krijon tekstet të cilat i këndon, shoqëruar nga kitara e tij. Këngët i ka në gjuhën angleze. Dhe, sipas shumëkujt, bota shumë shpejt do ta njoftojë.
Yon Idy është emri artistik i Jon Ajdinit, i lindur në Shkup në vitin 1995. Deri më tani ka publikuar tetë këngë, të cilat, krahas në mediet e vendit, emetohen edhe në shumë stacione të radiove anembanë botës, si në SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra, Greqia, Kroacia e të tjerë dhe, gjithsesi, në Shqipëri dhe Kosovë. Është rritur i rrethuar nga muzika në qytetin e tij të vendlindjes. Ai dashurohet dhe mëson nga artistët klasik, si Beatles dhe Leonard Cohen, më vonë nën ndikimin e Muse, me doza të shëndosha të bluzit dhe skenës indie. Këndon para publikut disa herë në javë dhe me padurim pret që ta publikojë albumin e tij të plotë gjatë vitit 2022./21Media

Back to top button