A do të ketë ndryshime në udhëheqjen e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe sa është e mundur që në krye të integristëve të vijë kryetari aktual i Kuvendit në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi. I pyetur për këto në një intervistë në MIA, Xhaferi shprehet se për këtë do të vendosin organet partiake, siç u vendos në Kongresin e fundit në të cilin kandidat i vetëm ishte Ali Ahmeti.

“Gjithsesi çdokush që mendon duhet të presë deri në Kongresin e ardhshëm. Ata që mendojnë se kanë potencial, mbështetje, kanë çdo lloj mundësie. Gjithsesi jemi shoqëri demokratike, në procedurë adekuate mund ta propozojë kandidaturën, delegatët do të vendosin”, deklaroi Xhaferi.

I pyetur nëse po ka probleme në mirëfunksionimin e grupit parlamentar të BDI-së, Xhaferi tha se nuk është kompetencë e tij të përgjigjet për këtë.

“Gjithsesi se si deputetë edhe sipas funksionit, ligjit, statusit, kanë mundësi të jenë të lirë në mendime dhe vendimmarrje për çështje të ndryshme dhe mendoj se kjo kontribuon drejt demokratizimit të vetë subjekteve”, shtoi Xhaferi.

Krejt këto çështje po hapen gjithnjë e më shpesh pasi që tashmë disa kohë është dukshme që brenda integristëve jo gjithçka po rrjedhë pa pengesa.

Dallimet kanë dalë në pah që kur koordinatori i grupit parlamentar të integristëve Izet Mexhiti ngriti zërin ndaj emërimeve të kuadrove të BDI-së në ekzekutiv. Muaj më vonë Mexhiti nga foltorja e Kuvendit kërkoi llogari nga zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi për disa premtime të parealizuara në 100 ditë qeverisje.