A është kushtetuese kur presidenti tha se PAN ka numrat

Analistët e quajnë  deklaratën e Thaçit si jo kushtetuese

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mbrëmë në një intervistë për RTV21, tha se ka marr konfirmimin nga i mandatuari për kryeministër nga koalicioni PAN, se i ka numrat për formimin e Qeverisë, kjo deklaratë e tij po quhet e nxituar dhe jo kushtetues, kur ende nuk ka përfunduar certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit nga KQZ-ja.

Profesori universitar Mazllum Baraliu e quan shkarje dhe nxitim, deklaratën e kreut të shtetit, meqë sipas tij, me një veprim të tillë ka dal jashtë kornizave të caktuara të një komunikimi normal dhe kushtetues.

“Në përpjekjet për një komunikim transparent të eksponentëve politik të bartësve të funksioneve publike siç është edhe rasti i presidentit mund të bëhen në momente të caktuara edhe digresione dhe shkarje të caktuara lidhur me çështjet e ndryshme. Por, mundësia e komunikimit të presidentit në këtë rast me qytetarët është e garantuar me Kushtetutë me saktësisht me dispozitat e nenit 84. Në këtë aspekt nuk mund të shihet si diçka kontestuese. Por ndoshta ajo që thash me parë digresion ose edhe shkarje pse jo, ka të bëjë me nxitimin që komunikimet interne, ndërpersonale, jo zyrtare të personaliteteve në mes të eksponentëve publike, sidomos para konfirmimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja do të ishin një veprim i nxituar ose edhe jashtë kornizave të caktuara të një komunikimi normal dhe kushtetues me të tjerët”, tha Baraliu.

Ndërsa, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës e quan jo kushtetuese deklarimin e Thaçit se ka marr konfirmimin nga i mandatuari për kryeministër Ramush Haradinaj se i ka numrat për formimin e Qeverisë, në kohën kur ende nuk janë certifikuar rezultatet.

“Në fazën ku akoma nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, Presidenti nuk ka asnjë autorizim për të kërkuar konfirmime nga të nominuarit për Kryeministër se a kanë shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë. E aq me pak, që kjo të bëhet në takime joformale. Po ashtu, në dhënien e mandatit në herën e parë, nga Presidenti nuk kërkohet fare që të zhvilloj takime me përfaqësuesit e subjekteve politike, por vetëm në herën e dytë, ku kërkohet një lloj verifikimi për të parë se cili nga subjektet politike i ka votat e nevojshme për ta formuar qeverinë. Këtu vije në shprehje diskrecioni i Presidentit, qe nuk është çështje e preferencës se tij por vetëm një lloj verifikimi se kush mundet ta formoj qeverinë dhe me qellim që t’i shmange zgjedhjet e jashëzakonshme”, tha Krasniqi nëpërmjet postës elektronike.

Edhe analisti politik Imer Mushkolaj, thotë se kreu i shtetit nuk është dashur të dal publikisht dhe të thotë se është përfshirë në krijimin e institucioneve para certifikimit të zgjedhjeve, sepse këtë duhet ta bëjë vetëm pas një procesi të tillë.

“Presidenti nuk është dashur të veprojë kështu ose, edhe nëse ka kontaktuar, të paktën të mos e bëjë publike. Presidentit i takon të përfshihet në procesin e krijimit të institucioneve vetëm pas certifikimit te zgjedhjeve dhe konsultimit me partitë politike. Me qasje të tillë të njëanshme, Thaçi vetëm sa po dëshmon se nuk e përfaqëson unitetin sipas Kushtetutës dhe po favorizon një opsion të caktuar politik”, tha Mushkolaj.

Mirëpo, profesori Baraliu beson se presidenti Thaçi do ta respektojë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 rreth dhënies së mandatit për formimin e Qeverisë.

Sipas tij, kreu i shtetit e ka obligim të pakalueshëm kushtetues respektimin e kushtetutës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 që të jetë i paanshëm dhe diskrecional.

Presidenti Thaçi deklaroi dje se ka marr konfirmimin e koalicionit PAN si fituese të zgjedhjeve se i kanë numrat për formimin e Qeverisë, kur ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve dhe ende nuk kanë nisur negociatat për formimin e Qeverisë. Megjithatë, certifikimi i zgjedhjeve pritet të bëhet gjatë ditës së sotme.

Back to top button