A ka leje Veseli të marrë pjesë në varrimin e nënës, flasin për RTV21 nga Haga
Ish-kryetari i PDK-së, njëherësh edhe ish- kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli edhe lajmin për vdekjen e nënës, njëjtë sikur lajmin për vdekjen e babaiti e priti në paraburgim në Hagë. Nga Gjykata Speciale për portalin rtv21.tv kanë thënë për një çështje të tillë vendos një panel i veçantë, por nuk kanë treguar konkretisht se a ka leje Veseli që të vijë në Kosovë.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendos për kërkesa të tilla”, thuhet në përgjigjen e Speciales për rtv21.tv.
Në anën tjetër, avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini për portalin rtv21.tv ka thënë se nuk është në dijeni se a do të vijë Veseli në ceremoninë e varrimit të nënës së tij.
“Nuk jam në dijeni nëse z. Veseli ka siguruar leje për pjesmarrje në ceremoninë e varrimit të nënës së tij. Po shpresoj se z. Veseli do të lirohet përkohësisht, sepse lirimi i tij i mëparshem nuk ka shkaktaur probleme të sigurisë dhe çdo gjë ka shkuar siç është më së miri”, tha ai për rtv21.tv.
Kujtojmë se Kadri Veseli nuk kishte marrë pjesë në varrimin e babait të tij në korrik të vitit 2021, por vetëm e kishte vizituar sa ishte gjallë në spital.
Sot ka vdekur në moshën 93-vjeçare, nëna e Kadri Veselit, Ajshe Veseli, ndërsa varrimi i saj bëhet sot në orën 14:30 në Broboniq të Mitrovicës./21Media