A po shkelen të drejtat e punëtorëve në Kosovë?
Të drejtat e punëtorëve në Kosovë vazhdojnë të shkelën në masë të madhe, si pasojë e mos zbatimit të ligjeve të miratuara.
Kjo u tha në debatin parlamentar në lidhje me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë, me ç’rast u bë përgjegjëse Qeveria për mos zbatimin e kontratave, punën jashtë orarit, mos kompensimin e lëndimeve në punë, sigurinë në punë, e tjera.
Iniciuesi i këtij debati, deputeti Bekim Haxhiu tha se është evidente se në Kosovë shkelen të drejtat e punëtorëve. Sipas tij, kushtet e punës, siguria dhe shëndeti në punë janë ndër brengat kryesore të çdo punëtori.
Ai vuri në pah se sipas raportimeve vetëm gjatë 5 viteve të fundit në sektorin e ndërtimtarisë 61 qytetarë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës, derisa 220 të tjerë janë lënduar.
Haxhiu theksoi se shkelja e të drejtave të punëtorëve fillon në shumë raste duke mos iu ofruar fare kontrata e punës, puna me orare të zgjatura deri në 12 orë brenda një dite, punëtorët nuk kompensohen për punën që kryejnë jashtë orarit të rregullt të punës, u mohohet e drejta e shfrytëzimit të pushimit javor dhe vjetor e që është shkelje e së drejtës për pushim, mos respektim i pushimit të lehonisë, ndërprerja e marrëdhënies së punës nga punëdhënësi pa paralajmërim, zgjatja e kontratave mbi vepër më shumë se sa lejohet me ligj, etj.
Edhe deputetët tjerë patën shumë kritika për shkeljen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se shkelja e të drejtave të punëtorëve është shqetësuese sidomos tek punësimet e vajzave.
Ajo përmendi një rast, kur një e punësuar në një nga bankat e Kosovës, e cila është detyruar të lëshojë vendin e punës pas presionit të jashtëzakonshëm nga punëdhënësi që ta lëshojë vendin e punës.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Grupi parlamentar i LDK-së, ka trajtuar rekomandimet e deputetëve iniciues të këtij debati. Sipas tij tashmë janë të ditura shkeljet e të drejtave të punëtorëve.
Zemaj ka thënë se në sektorin privat shkelja e të drejtave të punëtorëve është e theksuar. Jo rrallë, sipas tij, shkelja e të drejtave të punëtorëve ka pasur edhe me humbje jete të punëtorëve. Ai ka thënë se LDK-ja kërkon që inspektorati i Punës duhet të rrisë llogaridhënien dhe numrin e punëtorëve, në mënyrë që të drejtat e punëtorëve vazhdojnë të shkelen.
Deputeti Faton Topalli, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, theksoi se punëtorët e Kosovës, kryesisht punëtorë të ndërtimit, shitës në dyqane, punonjës në furra, fabrika, e shumë të tjerë që iu shkelen të drejtat. Derisa, ekzekutivit të vendit ia ka hedhur përgjegjësinë për shkeljen e këtyre të drejtave.
Në emër të AAK-së, deputeti Pal Lekaj, ka thënë se të drejtat e punëtorëve nuk janë adresuar as para pavarësisë e as pas saj. Ai ka theksuar se përveç nivelit të lartë të papunësisë, edhe te të punësuarit si në sektorin publik, e më shumë në sektorin privat të drejtat e punëtorëve shkelen.
Deputeti i PDK-së, Shaip Muja akuzoi Qeverinë se po i mashtron punonjësit duke i punësuar me kontrata mbi vepër, që sipas tij janë mashtrime një mashtrim i momentit për militantët politik. Ai tha se këto janë politika të momentit që përkthyer do të thotë politika mashtruese.
Kurse ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se numri i vogël i inspektorëve po lihet me qëllim, për shkak se sipas tij, me një numër kaq të vogël të inspektorëve nuk mund të presësh respektimin e të drejtave të punëtorëve. Por, ai pati një këshillë për iniciuesit e këtij debati, Bekim Haxhiu e Xhevahire Izmaku.
Por, ndaj fjalës së Kurtit replikoi iniciuesi i debatit Bekim Haxhiu, duke i quajtur demagogji ato që tha ish-lideri i VV-së.
“Nëse ndonjëri bënë reklamim për ndonjë kompani, siç është shembull Devollët, e neve na akuzon për hipokrizi, dhe njëkohësisht iu bëjnë reklamë Devollëve deputet të kësaj partie, kjo është hipokrizi dhe demagogji. Demagogji është nëse ti e lexon vetëm pikën 1 të rekomandimeve dhe nuk e lexon pikën 7 të rekomandimeve. Sepse kur kemi kërkuar inspektimet efektive, në pikën shtatë kemi kërkuar rritjen e kompetencave të inspektorëve, transparencën dhe llogaridhënien. Demagogji dhe hipokrizi është për të ardhur në Kuvend për t’i akuzuar Devollët këtu në Kuvend dhe për të shkuar me pi “Coca Cola” zero në jaht”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, pranoi se ka ngecje në respektimin e të drejtave të punëtorëve, derisa përmendi sektorët e ndjeshëm siç është punësimi i grave.
“Problemi më i madh, ajo që u përmend edhe nga shumë edhe këtu realisht përpos kërkesave të mija të vazhdueshme, besoj që duhet edhe përkrahje e Kuvendit, duhet të bëjmë rritjen e numrit të inspektorëve, është e papranueshme dhe e paimagjinueshme që 50 inspektorë të bëjnë inspektimin e diku rreth 70 deri në 75 mijë biznese aktive në Kosovë”, tha Abrashi.
Pas përfundimit të debatit, nuk u arrit të miratohen rekomandimet, meqë nuk pati kuorum të mjaftueshëm.