AAK kërkon falje të borxheve për bizneset, LVV kundër

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen dy herë gjatë kësaj jave. Të enjten do të jetë seanca e parë plenare, që në të vërtetë është vazhdim i asaj së javës së kaluar ku do të debatohet për arsimin në pandemi, ndërsa të premten do të mbahet interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për faljen e gjobave bizneseve të prekura nga situata me pandeminë COVID-19. Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit.

Derisa i bëri të ditura këto pika, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, para gazetarëve tha se debati parlamentar lidhur me situatën ekonomike në vend do të mbahet javën tjetër.

“Vazhdimi i seancës së mbetur nga java e kaluar do të jetë ditën e enjte me debatin për arsimin, i cili do të fillojë në orën 10:00. Ndërsa menjëherë pas përfundimit të këtij debati do të fillohet me seancën e rregullt. Është vendosur që interpelanca e kërkuar në raport me faljen e gjobave ndaj bizneseve të prekura COVID-19 të mbahet ditë ne premte. Për faktin se ditën e enjte do të vazhdohet me debatin parlamentar për arsim, pastaj është në agjendë edhe zgjedhja e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese. Pastaj edhe disa pika të tjera. Ndërsa debati parlamentar lidhur me situatën ekonomike do të mbahet javën tjetër në një nga seancat e radhës”, tha Kusari-Lila.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi mbështetje për rezolutën e tyre që t’i falen gjobat bizneseve gjatë pandemisë COVID-19.

“Kemi kërkesë të qartë ndaj ministrit të Financave që të ndodh falja e të gjitha gjobave për bizneset që janë gjobitur në kohë pandemie. Kjo është një ngarkesë për ta dhe për shkak siç e dimë edhe partitë politike në fushatë zgjedhore kanë mbajtur takime dhe shohim se ka pasur një diskrecion. Nuk është as drejtë, as etike dhe kisha me thënë as diçka që e ndihmon shtetin. Ajo që dihet është se të hyrat që mund të vijnë nga këto gjoba janë të paplanifikuara dhe nuk kanë ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë. Në këtë situatë mendojmë se një rezolutë që do të mbështeste këtë qëndrim të AAK-së do të ndihmonte ekonominë dhe gastronominë”, tha ai.

Përkrahje një nisme të tillë nuk pritet t’i jep Lëvizja Vetëvendosje, pasi u.d e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se një gjë e tillë do ishte dekurajuese për ata që kanë qenë në përputhshmëri me Ligjin për Pandeminë, të cilin e kanë miratuar edhe AAK si iniciues të kësaj rezolute.

“Konsiderojmë se nëse përcaktohet me një normë ligjore sanksionimi përmes gjobave për rregullsi dhe ligjshmëri, pastaj vendosja e faljes gjobave me interpelanca shkon jashtë normave të ligjshmërisë dhe është dekurajuese për ata që kanë qenë në përputhshmëri me ligjin”, tha ajo.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri u pyet edhe për qëndrimin treditor në Kosovë të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mettheë Palmer dhe emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, me të cilët tha se do të kenë takime bilaterale edhe si AAK.

“Takime me zotëri Palmer dhe zotëri Lajçak do të ndodhin edhe me subjektet e tjera politike. Ende nuk i dina temat, por është bërë e ditur se tema kryesore do të jetë dialogu. Ne si AAK do të kemi takim bilateral me zotëri Palmer dhe Lajçak. Nëse ka diçka për t’u raportuar ne si subjekt politik e kemi bërë të qartë. Dy kërkesa i kemi për zotëri Kurtin që të ketë një proces të rregullt të informimit në Kuvend dhe raportim për çka do që mund të jetë marrëveshje e fshehtë dhe hapur të cilat mund të dëmtojnë vendet. Nuk kemi asnjë indikacion dhe askush nuk mundet t’i imponon marrëveshje parlamentit pa dashur vet Parlamenti i Kosovës”, tha ai

Back to top button