AAK kërkon reagim të shpejtë nga Qeveria për tri çështje

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, në seancën plenare përmendi tri çështje të cilat sipas tij, kërkojnë reagim të shpejtë nga Qeveria e Kosovës.
E para është Ligji i Pagave, për të cilin Tahiri tha se Qeveria po heshtë në mënyrë klasike duke mos dhënë asnjë shpjegim. Çështja e dytë që përmendi deputeti është paga minimale, për të cilën tha se Qeveria nuk është e interesuar që ta rrisë, por vetëm ta zvarritë procesin. Kurse çështja e tretë që përmendi Tahiri është Trusti.
Sipas tij, ligji që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti duhet të miratohet sa më parë në Kuvend.
“81 mijë punëtorë të sektorit publik kërkojnë veprime nga Qeveria, ndërkaq asnjë shenjë nuk ka nga kjo qeveri se kur do të sjellet në Kuvend ky ligj. Është tepër me rëndësi që ligji për Trustin të vie në Kuvend dhe qytetarëve t’i mundësohet tërheqja e një pjese të kursimeve te tyre”, tha Tahiri.
Duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ai theksoi se kjo vërteton se kauza e tyre ishte e saktë.

“Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit për shfuqizim të vendimit për rritjen e tarifave, vërtetoi se kauza jonë për të mos ngritur tarifat e energjisë elektrike ishte e saktë dhe e drejtë. Tani kemi një dëm jashtëzakonisht të madh”, theksoi Tahiri./21Media
Back to top button