Opozita kritika për qeverisjen e Kurtit

(Lajm i përditësuar)
Kuvendi i Kosovës ka miratuar propozimet e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare. Nga këto zëvendësime Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi zëvendësohet me deputeten Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.
Në votim morën pjesë 62 deputetë, 53 prej të cilëve votuan për dhe nëntë abstenuan.
Propozimet e për zëvendësime ishin:

  • 1.Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi zëvendësohet me deputeten Arbëreshë Kryeziu-Hyseni
  • 2.Në Komisionin për Integrim Evropian nënkryetarja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni zëvendësohet me deputeten, Fjolla Ujkani nënkryetare
  • 3.Në Komisionin për Integrim Evropian nënkryetarja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni zëvendësohet me deputetin Alban Bajrami.
  • 4.Në Komisionin për Stabilizim-Associm deputeti Haki Abazi zëvendësohet me deputetin Dimal Basha
  • 5.Në Komisionin për Stabilizim-Associm zëvendës anëtari Dimal Basha zëvendësohet me Jeta Statovcin.

Kurti: Mjetet e mbetura nga Fondi për Luginën prapë i kemi për të
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në seancën e sotme plenare të Kuvendit ka pyetur kryeministri, Albin Kurti se përse janë ekzekutuar vetëm 1.5 milion euro nga 2 milionë euro sa ishin ndarë për Luginën e Preshevës.
E shefi i ekzekutivit tha se kjo ka ndodhur pasi nuk ka pasur projekte që dëshmojnë kapacitetet zbatuese.
Kurti theksoi se këto mjete do të jenë prapë për Luginën e Preshevës.
“Është shumë e rëndësishme që Lugina e Preshevës është pjesë e buxhetit të Kosovë, ky institucionalizim është i rëndësishëm dhe natyrisht matet edhe me shumë e ndarë financiare….Kjo mbështetje financiare dhe politike është më domethënia ndonjëherë në kuptimin e shumicës financiare dhe dëshmi e angazhimit legjitim institucional të Kosovës për shqiptarët në Serbi. Bashkërendimi i Luginës së Preshevës në Republikën e Kosovës është jo vetëm interes i ndërsjellë, por edhe rruga e duhur për më shumë liri dhe drejtësi atje. Kemi projekte që ne i financojmë po në të njëjtën kohë edhe projekte që ata aplikojnë …Paratë që kanë ngelur pa u shpenzuar nuk do të barten në Republikën e Kosovës, ne prapë i kemi për Luginën e Preshevës, por nuk mund të japim pa pasur projekte që dëshmojnë kapacitetet absorbuese dhe zbatuese. Andaj ne me durim po bëjmë thirrje të reja në mënyrë që ky 2 milionëshi të shfrytëzohet në tërësi dhe është me rëndësi që buxheti më pak se 2 milionë kurrë nuk do të jetë”, tha Kurti.
E më pas deputetja Musliu ia ktheu Kurti duke i thënë se po e gënjen vetëm vetën me këto deklarata për fondin për Luginën.
“Albin ti e rrejte veç vetën neve nuk mundesh me na rrejt me deklaratat që i the pse e them këtë ti ke ndarë 1 milionë e 500 euro dhe nuk kanë shkuar për Luginën e Preshevës ato para kanë shkuar për organizata fiktive të cilat janë themeluar pasi është shpall konkursi”, u shpreh ajo. /B.Ibishi/
Kurti: Kosova e Serbia me planin evropian e njohin njëra-tjetrën në formën defakto
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se me planin evropian njohja dejure e Kosovës nga Serbia nuk është, por është në formën defakto. Megjithatë, shtoi se ndërkohë parashihet të arrihet një marrëveshje përfundimtare si një parakusht për avancimin evropian të Serbisë.
Kurti në seancën plenare e cila po vazhdon, është pyetur edhe për propozimin evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
“Ky propozim parasheh normalizim të marrëdhënieve ndërkombëtare në mes Kosovës dhe Serbisë, ku njëra-tjetrën e njohin në formën defakto. Një njohje e tillë duket e qartë në tekstin e marrëveshjes por gjithashtu është premtuar një përmbajtje të tillë nga shtetet e emisarëve që e kanë propozuar marrëveshjen dhe vet Bashkimi Evropian. Marrëveshja i vendos Kosovën dhe Serbinë si dy entitete të barabarta para të drejtës ndërkombëtare, me integritet territorial të pa cenueshëm të të dyjave, marrëdhënie të mira nder fqinjësore, njohje të plotë të pasaportave dhe simboleve shtetërore në nivelin ndërkombëtar, me referencë të qartë të parimit të kartës së OKB-së për barazinë e plotë sovrane në mes shteteve, ku asnjëra nuk mund të përfaqësoj dhe as të flas për të tjetrën në nivel ndërkombëtar dhe ku Serbia nuk do të kundërshtoj anëtarëismin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Të gjitha këto janë parime fondamentale që shtetet e pavarura në sistemin e pavarur të shteteve ua njohin njëra tjetrës si karakteristika të shtetësisë së tyre”, tha ai duke shtuar se marrëveshje të ngjarje në të kaluarqën ua ka mundësuar shteteve që të hynë në OKB.
“Për dallim nga proceset e kaluar negociatore që ishin pa cak të qartë, ky proces e ka drejtimin e duhur… . Kosova përfiton nga një raport më i avancuar me gjuhë të qartë ndërshtetërore pa ofruar asgjë në këmbim. Njohja dejure e Serbisë, është e qartë se nuk është në mënyrë ekspicide e thënë atyre, por vetëm në formën defakto, por është pjesë sekuenciale e planin sepse aty parashihet se një marrëveshje përfundimtare do të arrihet ndërkohë si një parakusht për avancimin evropian të Serbisë, domethënë vetoja e Kosovës ndaj së ardhmes integruese të Serbisë përmes kësaj marrëveshje e merr edhe formën e një parimi juridik, sepse Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE pa një marrëveshje finale me Kosovën, gjë që nuk ishte juridikisht e obligueshme më përpara”, tha ai, duke shtuar se nëse ka gjëra defekte në këtë marrëveshje, janë si pasojë e qeverisjes së kaluar dhe jo të tij.
Kurti është pyetur edhe për tërheqjen e njohjes nga Republika e Togo-s, duke thënë se më 2 korrik të vitit 2014, kjo republikë ka deklaruar njohjen e shtetit tonë dhe po atë muaj është bërë vendosja e marrëdhënieve diplomatike, por tash nuk kanë pranuar ndonjë indikacion apo dokument për tërheqje të tillë, por këto janë shpifje të Serbisë.
Rizvanolli e Shala përplasen për “Trepçën”
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot deklaroi se pritet që deri nesër të sanohet situata në “Trepçë” dhe të hapet dera e horizontit 11.
Ajo tha se përkundër gënjeshtrave që janë thënë, kanë reaguar menjëherë dhe qysh në orën 03:45 të mëngjesit është ndërruar kabllo dhe është vendosur sistemi i pompimit.
“Përkundër gënjeshtrave që janë thënë disa herë edhe këtu është reaguar menjëherë qysh në 03:45 të mëngjesit është ndërruar kabllo dhe është vendosur sistemi i pompimit. Pritet që situata të sanohet deri nesër dhe të hapet dera e horizontit 11….Të hyrat e Trepçës janë rritur rreth 50% në krahasim me vitet 2018-20, nga 14.15milionë euro në 22 milionë euro në vitin 2022, ndërkohë shpenzimet operative janë ulur. Trepça është audituar për herë të parë pas 11 vitesh që nga vitit 2012 nuk ishte audituar dhe është audituar me kërkesë të kryeministrit Kurti vetëm gjatë vitit të fundit janë ngritur 7 padi për lirim të pronës dhe kërkesa për fitim të humbur janë bërë tri kërkesa të tjera për lirim të pronës 13 propozim për përmbarime”, tha ajo.
Rizvanolli iu drejtua deputetit të PDK-së, Ferat Shala, duke i thënë se më nuk ka emërime të brendshme pa konkurse dhe punësime të personave me kontrata mbi vepër.
“Imagjinoni Trepça nuk ka pasur rregullore për menaxhim të aseteve janë dhënë me qera me çmime qesharake janë uzurpuar dhjetëra prona të Trepçës dhe nuk ka pas asnjë rregullore për të rregulluar ato e mos të flasim për mënyrën se si janë dhënë këto e si janë lejuar të keqpërdorën nga operatorët ekonomik. Nuk ka më z.Shala si në kohën e juaj emërime të brendshme e pa konkurse nuk ka më sikur në kohën e juaj punësime të qindra personave me kontrata mbi vepër pa procedura, nuk ka më shitje të mbetjeve në mënyrë të jashtëligjshme e pa procedura si në kohën tuaj nuk ka më uzurpim të pronave dhe dhënie me qera si në kohën tuaj”, tha ajo.
E menjëherë, iu kundërpërgjigj deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili konstatimet e Rizvanollit i quajti të pavërteta.
Ai tha se ministri në fjalë, në vend të një gjeologu për “Trepçën” ka angazhuar si eskpert një arkeolog.
“Nuk kam kohë me u marr me të pavërtetat e ministres po të informoj zyrtarisht me përgjegjësi kryeministër ministrja që sapo raportoi, ka angazhuar një ekspert nga një shtet mik i BE që ka ndihmuar shumë kryeministrit me ardhur në pushtet ka shpall thirrje dhe kur e kam parë CV e ekspertit që këshillon ministren e ministrja pastaj kryeministrin unë tri herë i kam fshirë syzat, sepse nuk besojsha a kam rrëshqitur unë a ka rrëshqitur Qeveria…Në vend që të angazhojë një ekspert gjeolog për Trepçën ka angazhuar zyrtarisht një arkeolog për Trepçën”, u shpreh ai.
Deputetja Musliu ia largon mikrofonin ministrit Murati
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka tentuar ta pengojë ministrin e Financave, Hekuran Murati, derisa ky i fundit fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
Në seancën plenare e cila po vazhdon, ministri Murati doli të flas si kundërpërgjigje ndaj deputetëve lidhur me çështje të ndryshe, deputetja e Ganimete Musliu derisa shkonte për t’u konsultuar me kryesuesin e seancës, fillimisht tentoi t’ia ndal mikrofonin ministrit Murati. Kurse, pas konsultimit me kryesuesin, ajo është kthyer sërish tek foltorja e Kuvendit, duke ia larguar Muratit mikrofonin.
Murati tha se është për keqardhje veprimi i deputetëve që tentojnë të prishin këtë seancë.
Tahiri: Zhgënjimi i 51% do të dëshmojë për qeverisjen e dëmshme
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri u shpreh qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është qeverisja më e dëmshme dhe eksperimentale në vend.
Deputeti Tahiri tha se Kosova është më e varfër që nga 14 shkurti i vitit 2021.
“Kosova është më e varfër që nga 14 shkurti i vitit 2021. Qytetarët e Kosovës duke humbur shpresën në këtë qeveri dhe këto institucione kanë marr rrugën e mërgimit…Duke mos pasur asnjë investim të huaj tash e dy vjet duke mos promovuar asnjë projekt kapital tash e dy vjet asnjë rrugë, fabrikë, asnjë shkollë duke thënë se do të bëjmë me qindra çerdhe për fëmijë e banesa për të rinj për çifte qeveria e Kosovës është kthyer në një instancë e cila vetë numëron, diskuton dhe flet për një 20 vitet e kaluara, dëmi i shkaktuar është tepër i madh dhe në fakt është kolateral…Është zhgënjimi i 51% që do të dëshmoj se kjo ka qenë qeverisja më dëmshme dhe eksperimentale në vend ”, u shpreh Tahiri.
Deputeti i AAK-së, tha po ashtu se sot janë bërë 2 vjet e 2 ditë prej kur qeveria Kurti ka instaluar pasigurinë më të madhe që nga shpallja e pavarësisë.
Ndërsa, theksoi se kjo qeveri ka dëmtuar administratën shtetërore përmes ligjeve anti-kushtetuese.
“Sot janë bërë 2 vjet e 2 ditë prej kur qeveria Kurti ka instaluar pasigurinë më të madhe që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në këtë kohë është instaluar një pasiguri fillimisht tek qytetarët e Kosovës në raport me sigurinë juridike të secilit person që është në administratën shtetërore, duke shtyrë përpara ligjet anti kushtetuese provizionet që në esencë e dëmtojnë administratën shtetërore është prekur shtylla kurrizore dhe bazamenti i një shteti që është administrata shtetërore dhe shteti ligjore duke dëmtuar konsolidimin e demokracisë dhe mbikëqyrjen e demokracisë“, tha ai.
“Shën Albini premtoi banesa për të rinjtë, por rriti tatimin në pronë”
Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha në dy vjetorin e fitores së zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe qeverisja aktuale, ka drejtuar një sërë kritikash, duke thënë se kjo qeveri ka prodhuar një realitet të brisht, duke nxitur një gjendje të presionit kolektiv e degradimit shoqëror e shtetëror.
Hoxha tha se më 14 shkurt është dy vjetori i fitores së VV-së, tha se ajo që është parë është se me këtë qeverisje nuk ka të ardhme për Kosovën dhe shoqërinë.
“Kjo qeveri ka prodhuar një realitet të brisht, duke nxitur një gjendje të presionit kolektiv e degradimit shoqëror e shtetëror. Karakteristikat kryesore që kemi parë nga qeverisja e 14 shkurtit, mund t’i përmbledhim në disa pamje. Të dashuruarve dhe qifteve të reja, Shën Albini u kishte premtuar banesa të përballueshme që të mund të nisin jetën e përbashkët me lehtësi, lere që nuk ka realizuar asnjë deri më sot, por është siguruar që edhe qifteve të kaluara që kanë banës e shtëpi, t’u rritet takimi në pronë e në kohë inflacioni t’u rendohet edhe më shumë jeta. Asnjëherë më parë nuk ka pasur një rend kaq të gjatë të të rinjve e profesionistëve para ambasadave të Kosovës për të lëshuar vendin, asnjëherë më parë nuk ka pas ulje të pagave, ndërsa sot me idenë e rritjes së pagave, në idenë e barazisë, në shumicën e kategorive janë ulur pagat. Asnjëherë më parë nuk ka pasur sovranitet më pak në veri se sa sot. Asnjëherë më parë nuk ka pasur investime kapitale se sa sot, edhe ato që janë bërë, përkujdesen që të gjitha të bëhen me kontrata të negociuara e një burimore“, tha ai.
Ajo ka shtuar se asnjëherë më shumë skandale diplomatike e ambasada pa staf, pa para e pa ide se çfarë duhet të bëjnë.
“Pak si më shkurt me thënë në Qeveri çdo ditë ka dasmë, sa halla, tezja, nipi, vëllai të punësuar në secilin bord e institucion publik, e qytetari i rëndomtë sot gjysmë bosh nga inflacioni i thelluar dhe ekonomia e mbajtur pengë”, tha ajo.
Hoxha u ndal edhe te mjekët, duke thënë se në vend që të shërojnë qytetarët, ata po gjejnë shërim për vete jashtë vendit.
Selmanaj: 30% e popullatës iku nga Kosova për 10 vjet, alarm për emergjencë shtetërore
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, sot në seancën e Kuvendit, shprehu shqetësimin për ikjen masive të qytetarëve jashtë Kosovës.
Sipas tij, në 10 vjetët e fundit nga vendi janë larguar afër 600 qytetarë, e për këtë arsye, ai kërkoi që të ngritet alarmi për një emergjencë shtetërore.
“Mendoj se nëse vazhdoj kjo gjendje duhet të gjitha ne si institucione dhe qeveri si Kuvend edhe institucionet tjera edhe shoqëria civile të ngrehim gjendjen e alarmit të një emergjencë shtetërore…mendoj që duhet urgjentisht ta bëjmë një analizë se cilat janë shkaqet e ikjes sepse tani vetëm se gjendja ekonomike po duket se nuk është argumenti kryesor se ata po ikin, pakënaqësia me sistemi shëndetësor e arsimor e gjitha të tjerat duket sikur janë aduti kryesor se njerëzit po ikin. Deputet po e shoh se nuk po e merrni si shumë shqetësim këtë punë dilni jashtë Prishtinë dhe qyteteve të mëdha që 50-60 e fshatrave kanë mbetur me dyer të mbyllura”, tha Selmanaj.
Ai paraqiti disa shifra të siguruara që flasin për ikje masive të qytetarëve.
Selmanaj tha se po ndodh një eksod masivi i ikjes së qytetarëve nga Kosova.
“ Një numër i madh i njerëzve në Kosovë s’po e projektojnë jetën në Kosovë më, nuk po i projektojnë më idealet dhe ëndrrat e tyre për të realizuar të ardhmen e tyre në Kosovë. Fshatrat po zbrazen e shkollat po boshatisen, shtëpitë po mbyllen. Vetëm në Ambasadën Gjermane për një vit, gjatë vitit 2022, 105 mijë qytetarë kanë aplikuar për vizë, në Ambasadën Zvicerane 38 mijë e 341 aplikues për vizë dhe nga ta, 34 mijë prej tyre janë pajisuar me vizë. Një vit paraprak në vitin 2021 vetëm në Ambasadën Zvierane kanë aplikuar diku 19 mijë e 737 qytetarë ndërkohë që, 17 mijë e 90 janë pajisur me vizë. Kjo qenka qeveri e shpresës, kjo qenka qeveri, e cila nxitë kurajon për të jetuar në Kosovë“, tha ai.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj u shpreh po ashtu se në 10 vjetët e fundit 30% e qytetarëve kanë ikur nga Kosova.
Ajo konsideron se ky trend, i cili po rritet e rrezikon Kosovën të mbetet me një popullsi më të vogël se Mali i Zi
“Brenda 10 viteve të nderuar deputet janë larguar 529 mijë e 647 qytetarë të Kosovës ose 30% e popullatës së Kosovës unë nuk e them që ky trend është vetëm tani unë e them se në 10 vitet e fundit afër 600 mijë qytetarë apo 30% e popullatës kanë ikur nga Kosova dhe kur ju thonit se kjo është qeveria e shpresës tani më të dhënat që unë ua prezantova janë më shqetësuese se një vit paraprak, që i bie trendi është në rritje masive dhe nëse vazhdojmë me këtë qasje dhe trend jam i bindur se për 10 vitet e ardhshme në Kosovë do të mbesim me popullatë më pak se Mali i Zi”, shtoi ai.
Kusari-Lila: Dëshmuam se jemi qeveri që ndihmon qytetarin dhe kthen besimin në shtet
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, sot u shpreh se për dy vjet qeverisje dëshmuan një qeveri që nuk nënshtrohet dhe lufton sovranitetin e vet si dhe është qeveri që lufton krimin dhe korrupsionin.
Ajo tha se në këto dy vjet të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje dëshmuan se janë qeveri që ndihmojnë qytetarët.
“Sot dy vite pas në gjysmë mandati e kuptojmë se kemi ende shumë punë por se nuk kemi lëvizur nga drejtimi mbarë që na e besuan qytetarët, dy vite qeverisje dëshmuan një qeveri që lufton krimin dhe korrupsionin, një qeveri që ndihmon qytetarin dhe kthen besimin në shtet dhe institucione, një qeveri që punon për zhvillim dhe sjell presperitet për drejtësi dhe qytetarët. Gjatë këtyre dy viteve kemi një ekonomi që është në rritje të vazhdueshme kemi një shtet që kryeson në rajon dhe më gjerë për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionin një shtet që nuk nënshtrohet dhe lufton për sovranitetin e vetë”, u shpreh Kusari-Lila.
Deputetja e LVV-së deklaroi se nesër kur Kosova shënon 15 vjet të shtetësisë së saj rrugëtimi për të arritur te liria dhe pavarësia ishte me sakrifica e rezistencë.
“Kosova nesër shënon 15 vite që hapi një kapitull të ri të historisë së saj, që u arrit me shumë mund, sakrificë, rezistencë e sfida për të arritur lirinë, paqen e barazinë. Rruga deri tek shtet i pavarur dhe sovran u përcoll me përpjekje sakrifica dhe mbi të gjitha qëndrueshmëri e konsistencë të popullit që e kishte në AND e vetë se asgjë më pak apo më shumë se liria e plotë nuk ishte synimi i vetë“, tha ajo.
Ndërsa, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Kusari-Lila foli edhe për 14 shkurtin e vitit 2021, ku partia në pushtet ka marrë mbështetjen e qytetarëve për qeverisje.
“Më 14 shkurt 2021 qytetarët e Kosovës tejkaluan pritjet dhe parashikimet e gjithë të tjerëve duke përcaktuar qartë dhe saktë vullnetin e tyre për të ndryshuar kurs të qeverisjes së vendit, fitorja e 14 shkurtit nuk ishte as e implantuar dhe as e imponuar ishte fitore e vullnetit të qartë të qytetarëve të Kosovës ata treguan se duan qeverisje sovrane vendimmarrje meritore dhe të drejtë, e duan shtetin me integritet pa u nëpërkëmbën nga askush nga brenda apo jashtë. Ndryshimi që votuan qytetarët 2 vite më parë është përgjegjësi e jona e përditshme është misioni dhe obligimi ynë që duhet ta finalizojmë me dinjitet dhe integritet ashtu si ata e kërkuan dhe ashtu si na e takon neve t’iu ofrojmë“, shtoi ajo.

Back to top button