Abdixhiku akuzon Vetëvendosjen për nepotizëm

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se 4668 qytetarë kanë aplikuar për 128 vende pune në Korporatën Energjetike të Kosovës, por që sipas tij ky aplikim i tyre nuk kishte rëndësi, pasi “vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet”.
“Ky është modeli i pushtetit në vend. Kapje e nepotizëm masiv i çdo vendi e çdo ndërmarrjeje pa dallim; dhe atë hapur e pa brengë. Ata që e arsyetojnë kapjen, që normalizojnë zëvendësimin e një kapësi me tjetrin, le t’iu flasin sot të katër mijë aplikantëve që janë refuzuar sepse s’kishin parti. Le t’i bindin tani – ata e familjet e tyre – se dëshpërimi e ikja nga ky vend nuk është alternativë”, ka shkruar Abdixhiku.
Abdixhiku ka treguar se LDK-ja sot ka ftuar Prokurorinë të nisë hetimet dhe se nesër do të dorëzojnë kallëzim penal në Prokurori, ndërkohë që kanë ftuar edhe menaxhmentin e KEK-ut të anulojë procesin dhe t’i suspendojë anëtarët e Komisionit Vlerësues, duke nisur një proces të ri dhe të drejtë.
“Punësimet nepotike nuk janë të reja në vend. Në fakt, ato veçse të reja s’janë. Ky vend ka parë mjaft. Kam dënuar e do të dënojë çdo veprim të tillë, nga kushdo që bëhet, kurdo që bëhet ose është bërë. Jemi në politikë për t’i ndalur këto fenomene, jo ushqyer ato. Në rolin e tanishëm – në opozitë – edhe s’kam shumë mundësi të parandalojë kapjen e nepotizimin. Por në qeverisjen e ardhshme time, konkurset e tilla, nuk do të kapërcejnë pa monitorim nga organizatat e pavarura – vendore e ndërkombëtare. Merreni këtë si zotim publik”, ka shkruar Abdixhiku.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK ) sot ka reaguar lidhur me raportimet në media se disa prej të pranuarve janë të lidhur me partinë në pushtet – Lëvizjen Vetëvendosje. KEK përmes një komunikate kanë thënë se janë duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike “rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”./21Media

Back to top button