Abdixhiku: Amnistimi i Berishajt e rehabilitimi i Ivanoviq, skandale që kërkojnë përgjigje

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në takim me qytetarët në Malishevë, ka folur për deklaratat e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ish-politikanin serb Oliver Ivanoviq, që ishte dënuar për krime lufte në Kosovë.
Po ashtu edhe për skandalin ku është implikuar ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Sipas tij, skandalet e njëpasnjëshme që kanë vërshuar këtë Qeveri e këtë mentalitet qeverisës tashmë janë bërë të zakonshme.
“Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përveçse nuk e deklaroi pronësinë e tij mbi tri kompani private, në deklarimin e obligueshëm të pasurisë së tij, ai ka shkuar përtej edhe ka fshehur pasurinë e tij. Pra një ambasador i Kosovës në Kroaci me dy kallëzime penale, vazhdon të marrë mbështetje të parezervë prej pushtetit, përkundër fakteve tashmë të qarta nga media vendore e ndërkombëtare. Sipas raportimeve tashmë të bëra publike, janë tërhequr nga ai në mes të Prishtinës, 1.4 milionë euro para të gatshme kesh. Paratë janë transferuar nga kompania energjetike ‘GEN-I’ me seli në Beograd. Ballina me lajme skandaloze në rajon për të njëjtin rast por heshtje totale e kryeministrit tonë. A është ligji i njëjtë si për të gjithë qytetarët tanë, i njëjtë për familjarë, miq e bashkëpunëtorë?”, ka thënë Abdixhiku, bëhet e ditur në komunikatën e LDK-së.
Në komunikatën e LDK-së thuhet se Abdixhiku ka folur edhe për deklarimin e kryeministrit të Kosovës dhe lartnimin e figurës së Oliver Ivanoviq, i dënuar për krime lufte.
“Glorifikimi i një krimineli lufte, i dënuar me 9 vite burgim për vrasjen e 31 civilëve shqiptarë. I njëjti nga pushteti aktual na portretizohet si person që ka kontribuar për një Kosovë shumë etnike, pra njeriun që pushteti e cilëson si kontribues të qytetit të tij. Mjafton tu referohemi të dhënave të dëshmitarëve të familjarëve të vrarë e të shohim qartë se çfarë krimineli lufte, kryeministri ynë po na e paraqet si promovues të paqes dhe harmonisë ndëretnike. Kërkim falja është më e pakta që mund të ia bëjmë popullit tonë”, ka thënë kryetari Abdixhiku.
Po ashtu, Abdixhiku ka theksuar faktin që “ky nuk është ndryshimi që Kosova ka pasur nevojë; kjo nuk është Kosova që gjenerata të tëra kanë sakrifikuar për të”./21Media

Back to top button