Abdixhiku: Arrestimi i Molliqajt ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sonte ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj.
Ai ka theksuar se arrestimi i dhunshëm i kryetarit të PSD-së Dardan Molliqaj, ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike.
“Prandaj ky akt, për mua dhe LDK-në është i papranushëm dhe kundër standardeve bazike të demokracisë. Kurti dhe Qeveria e tij nuk guxojnë të përdorin pushtetin policor për kërcënime e arrestime politike; sidomos kur për alternativë kanë ndjekjen normale e njerëzore të rrugëve procedurale sipas rregullave tashmë të njohura.” , ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai u ka bërë ftesë organeve të rendit të ruajnë integritetin e tyre profesional e të pavarur dhe “të mos bëhen pjesë e këtij teatri politik të një Qeverie paranoike.”
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj është arrestuar sonte nga Policia e Kosovës. Ai është arrestuar derisa ishte duke shkuar në një emision televiziv.
Molliqaj është ndaluar nga disa pjesëtarë të policisë, të cilët e kanë futur në veturë.
Kreu i PSD-së kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës. Molliqaj kishte thënë në lidhje me incidentin se përgjegjësia i bie atij, porse ai ishte ofenduar me fjalë nga zyrtarët policorë./21Media

Back to top button