Abdixhiku e quan “të shkretë” zëdhënësin e Qeverisë Kurti

 
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku e ka quajtur të shkretë zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziun, pasi ky i fundit deklaroi se marrëveshja e katër shtatorit në Uashington nuk është e obligueshme.
Abdixhiku ka thënë se çdo marrëveshje ndërkombëtare është e obligueshme, e në veçanti ato me ShBA-në.
“Aq din i shkreti, çdo marrëveshje ndërkombëtare është e obligueshme dhe me SHBA-të gjithsesi, çdo marrëveshje është me interes të Kosovës”, tha ai.
Këto komente Abdixhiku i bëri me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Nekibe Kelmendit, me ç’rast së bashku me anëtarë tjerë të kryesisë dhe familjarë bën homazhe pranë varrit të saj në Dragodan.
Për këtë deklaratë ka reaguar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti duhet të demantojë deklaratën e Kryeziut për të mos rrezikuar marrëdhëniet me shtetin e fuqishëm.
“Qeveria Kurti paska deklaruar se e vetmja marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, qenka juridikisht e pavlerë! Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën. Këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër!”, ka thënë Haradinaj.

Back to top button