Abdixhiku flet për koalicionin e mundshëm me Vetëvendosjen
Abdixhiku flet pasi u bë zyrtarisht pjesë e LDK-së
Vendosi t’i bashkohet LDK-së, e cila thotë se dha sinjale të hapjes së derës për të rinjtë, për reforma dhe ndërtimin e një fronti, i cili si synim ka zhvillimin ekonomik të vendit dhe ç’kapjen e shtetit.Ky është Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit “Riinvest”, i cili në prag të zgjedhjeve, ka zgjedhur t’i bashkohet LDK-së, e cila për të mbetet partia drejt së cilës duhet të orientohen të rinjtë, të cilët kanë ide dhe vizion.
“Vendimi i LDK-së për hapje dhe reformë, ka nis një seri bisedimesh mes meje dhe lidershipit të partisë, pra me kryetarin e partisë z. Mustafa. Dhe jemi përpjekur të gjejmë gjuhë të përbashkët në disa pika. E para më e rëndësishmja ka qenë që kjo hapje të reflektohet në aktivitetet e LDK-së. E dyta që LDK të jetë unike dhe të jetë alternative politike e shëndoshë, në vend dhe me forcat më të mira të saj. Dhe e treta që LDK të përpiqet të ndërtojë një front, që ka për synim zhvillimin ekonomik të Kosovës, ndjekjen e agjendës evropiane dhe përfundimisht çkapjen e shtetit. Në këto tri pika kemi gjetur gjuhë të përbashkët”, thotë Abdixhiku për KP vetëm disa minuta pasi edhe zyrtarisht u bë pjesë e partisë së Isa Mustafës.
“Po besoj që vendimet e fundit të partisë edhe për hapje dhe për bashkëpunime me partnerët e tjerë, por dhe në kandidimin të kryeministrit të ri japin një sinjal të hapjes së derës. Unë do të përpiqem që në këtë hapje të partisë të gjej veten, të jap një alternativë të ideve. Sepse, në fund të ditës në vitin 2017, janë idetë që do të duhej të vlenin më shumë se gjithçka tjetër. Dhe këtë kontribut timin ta shkrij në të gjithë strukturat dhe degët e partisë. Natyrisht është rrugëtim i gjatë. Do të jetë rrugëtim i mundimshëm. Nuk do të jetë i lehtë. Por në fund të ditës, po them se është obligim i gjeneratës së re që të bëjë këtë kontribuim politik në vend. Për mua ka qenë më e lehtë bashkëpunimi me LDK-në, për shkak të orientimeve të njëjta programore. Për shkak të besimeve të njëjta ideologjike dhe për shkak të mundësisë p ër bashkëpunim, që e kemi treguar të dy palët në këtë drejtim”, tha ai.
Madje Abdixhiku shpreson se do të arrij t’i bind të rinjtë, për një LDK me ndryshe dhe se kjo do të shihet dhe në listat zgjedhore të kësaj partie.
“Po shpresoj që do ti bind të rinjtë e të rejat e Kosovës, për një LDK më ndryshe. Bashkë me mua shpresoj që do të ketë dhe ka të rinj dhe të reja tjerë politikanë brenda LDK-së, që kanë kontribuuar me vite këtu. Besoj se bashkërisht mund të japim një alternativë më të mirë e kjo do të shihet domosdo dhe në listat e ardhme zgjedhore dhe në alternative politike, që LDK do ta ofroj votuesve të vet. Pra besoj që do të ndërtoj këtë besim tek të rinjtë dhe të rejat. Do të duhet kohë, por besoj që do të arrihet.. Unë do të kandidoj në këto zgjedhje. Dhe mesazhi ka me qenë gjithmonë ajo për çfarë unë njihem e që është angazhimi, në zhvillimin ekonomik të Kosovës, në krijimin e vendeve të punës, për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës. Në krijimin e një mirëqenie më të mirë për qytetarët e Kosovës, në arsim dhe në shëndetësi dhe në fund të ditës në kr ijimin e një vendi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët ”, tha ai.
Abdixhiku është optimist se partia të cilës iu bashkëngjit, do të arrijë rezultatet në zgjedhje. Ndërsa beson se është krijuar një moment i ri, i cili po i bënë bashkë të gjithë njerëzit, të cilët duan çkapjen e shtetit.
“Po besoj se është krijuar një momentum i ri. Dhe ky momentum i ri, po i bën bashkë njerëzit, që kanë për synim çkapjen e shtetit. Dhe në këtë synim të çkapjes së shtetit, ndërprerjes së vazhdimësisë së deritanishme të politikë bërjes, po besoj që kemi me dal suksesshëm. Është momentum i ri, është lëvizje e re politike në Kosovë, që po ngjanë dhe momente si këto sjellin rezultate të mira. Pra jam tërësisht i bindur, që do të arrijmë rezultatet pozitive dhe në këto zgjedhje dhe në angazhimin e afërt politik në Kosovë”, tha ai.
I pyetur se si e sheh mundësinë që Vetëvendosje, t’i bashkohet LDK-së, Abdixhiku thotë se është momenti i duhur, që të gjithë të jenë bashkë, kundër PDK-së dhe kundër kapjes së shtetit.
“Bindjet e mija janë se në këtë fazë, duhet të bëhemi bashkë të gjithë dhe pavarësisht dallimeve që kemi individuale, aty këtu programore, ka një synim madhor për vendin. Synimi më madhor për vendin, është shpëtimi i republikës. Dhe nëse duam njëmend ta shpëtojmë republikën dhe të kthejmë shpresën tek qytetarët e Kosovës. Atëherë duhet të kapërcejmë këto dallime individuale për të ndërtuar atë frontin e përbashkët anti PDK, anti kapje. Kjo është ideja e gjithë angazhimit politik…Unë besoj që kishte qenë mirë të ndërtohet një front i tillë, por nëse ka synim të antikapjes dhe anti PDK-së. Ky është momenti i duhur, i bërjes së një bashkimi të tillë”, tha ai.
LDK-së përveç Abdixhikut deri më tani iu kanë bashkuar edhe disa përfaqësues të shoqërisë civile si Driton Selmanaj, etj. LDK në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit garon së bashku me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit dhe Alternativën.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?