Abdixhiku: Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të shoqërisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka akuzuar Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për mos punë. Duke u ndalur te realizimi i investimeve kapitale në Kosovë, ai tha se është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit.
Ai shtoi po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. Sipas tij, as edhe një shenjë e lënë.
“Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se Kosova ka nevojë për zhvillim e që sipas tij, zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale.

“S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike. Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo”, ka shkruar Abdixhiku./21Media
Back to top button