Kaloni te përmbajtja kryesore

Abdixhiku këtë javë nis takimet “për kapërcimin e izolimit dhe krizës”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se javën e kaluar ka shpalosur idenë e nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror, siç ka theksuar, si rrugë e re e Republikës së Kosovës, “përballë politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historik të saj – dhe së këndejmi, rrezikimit të shtyllave qenësore të sovranitetit dhe vet shtetësisë sonë”.

Ai ka deklaruar se ka ftuar për angazhim të përbashkët të shoqërisë, të atyre që sipas tij, besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik, në artikulimin e qartë të kësaj rruge.

Ai ka thënë tutje se ka ftuar në angazhim mbipartiak e përtej partiak si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës.

“Jam i lumtur me reagimin e parë publik ndaj vet iniciativës. Jam i lumtur me mbështetjen e gjerë të dhënë nga vet akterët për këtë qëllim. Jam i bindur se shoqëria kosovare ka masën kritike të domosdoshme brenda saj, për të bërë gjënë e duhur në momentin e duhur. Dhe ky është momenti i duhur”, ka thënë ai.

Ka shtuar se nga e mërkura do të nis me takimet e para. Sipas tij, takimi i parë do të jetë me opinionistë e gazetarë, i dyti me organizata të shoqërisë civile, i treti me profesorë universitarë e ish-diplomatë dhe i katërti me biznese nga sektori privat në vend.

“Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euro-atlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese. Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithëshoqëror”, ka thënë ai.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button