Abdixhiku: Kosova nën sulmin e bandave kriminale serbe, e Kurti po sulmon miqtë tanë ndërkombëtarë

Kosova po është nën sulm të vazhdueshëm nga bandat kriminale në veri, por që sipas tij, në sulm po është edhe kryeministri Albin Kurti ndaj aleatëve kryesorë të vendit. Kështu ka deklaruar të mërkurën Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Sot nuk është javë e zakonshme. Që prej të premtes po përballemi me situatë të pamenduar. Kosova është nën sulm të vazhdueshëm nga bandat kriminale të Vuçiqit, e kryeministri në sulm fatkeq ndaj miqve tanë ndërkombëtarë. E kjo s’ka ngjarë asnjëherë. Sa herë që kemi qenë të sulmuar nga Serbia, kemi qenë të mbrojtur nga miqtë ndërkombëtarë, sepse kemi qenë të bashkërenduar me ta, kemi vepruar bashkë me ta sepse kemi ndarë të njëjtat vlera dhe të njëjtat interesa e të njëjtin vizion. Këto përmbysje aleancash, vizionesh e prioritetesh askush nuk i ka dashur në Kosovë. Për këtë, nuk ka votuar askush. Prandaj, nuk mund të flasim tjetër gjë, përveç se një aventure të rrezikshme personale të Kurtit që nuk ka legjitimitet politik e demokratik në Kosovë. Sepse shkatërrimi i aleancës me miqtë tanë as nuk ka përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës, vullnet ky historikisht properëndimor dhe as nuk është në interes të popullit”, ka thënë Abdixhiku në konferencë për media të mërkurën.

I  pari i LDK-së po ashtu ka thënë se  aleatët ndërkombëtarë duhet të kuptojnë se sulmet e bandave në veri paraqesin rrezik për Kosovën dhe për rajonin.

“Sulmet ndaj Republikës janë sulme ndaj paqes rajonale. Ne ndajmë qëndrimet me miqtë tanë ndërkombëtarë për këtë paqe. Duhet koordinim i ngushtë i aleatëve me qeverinë për të qetësuar situatën”, ka thënë ai.

Më tej Abdixhiku ka deklaruar se duke nisur nga  sot do t’i përdorin të gjitha rrugët institucionale, politike dhe demokratike për të ndaluar këtë degradim, që sipas tij, e ka sjell Kurti. Derisa subjekti politi që ai drejton ka ftuar Kurtin në seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në veri dhe relacionet me SHBA-në, ndërsa i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani të flasë dhe të ketë pozicion të qartë për të çështje.

 

Back to top button