Abdixhiku: LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut

Pas takimit me ndërmjetësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se kanë biseduar për ecurinë e procesit të dialogut.
Abdixhiku ka thënë se, LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces.
“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimeve me krerët opozitarë në Kosovë, tha se i ka informuar ata në detaje për planin e BE-së për dialogun./21Media

Back to top button