Abdixhiku me zëvendëspresidentin e PE-së diskutojnë për procesin e dialogut

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku priti sot në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me ç’rast u diskutua për rolin konstruktiv dhe mbështetës që PE i ka dhënë Kosovës.

Abdixhiku, siç u bë e ditur në komunikatë, e njoftoi Wieland-in për qëndrimet e LDK-së karshi zhvillimeve në vend, me theks të veçantë për procesin e dialogut me Serbinë, qëndrime të njohura tashmë.

Po ashtu, u diskutua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Parlamentit Evropian dhe Kosovës.

Kujtojmë që, më 15 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrëvesve, janë diskutuar një sërë temash. Ky rund bisedimesh ka pasiur fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj. Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit. Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.

Back to top button