Pjesa më e madhe e dëshmisë së dëshmitarit 5 mbahet në seancë të mbyllur

(Lajm i përditësuar)

Pjesa më e madhe e dëshmisë së dëshmitarit 5 mbahet në seancë të mbyllur

Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë në pjesën e pasdites së seancës së sotme (e mërkurë) ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të pestë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ashtu si katër dëshmitarët e dëgjuar në këtë rast, edhe ky i pesti filloi të jap dëshminë e tij në seancë të mbyllur.

Kryesuesi i trupit gjykues, Charles L. Smith u shpreh se kjo po bëhet për të mbrojtur të dhënat personale të dëshmitarit.

Dhënia e dëshmitarit të mbrojtur 3165, pritet të zgjas dy ditë, dhe është planifikuar që fillimisht për dy orë të parashtrohen pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, për të vazhduar me 7 orë të tjera me kundra pyetje nga mbrojtja e të akuzuarve.

Smith: Dëshmia juaj do të zgjas dy ditë

“Sot do të fillojmë me dëshminë tuaj që mendohet se do të zgjas dy ditë. Sikurse e dini fillimisht do iu bëjë pyetje prokuroria, kur të përfundojnë ata kanë palët mbrojtëse t’iu bëjnë pyetje si dhe anëtarët e trupit gjykues mund tu bëjnë ju. Prokuroria parashikon 2 orë tu bëjë pyetje, mbrojtja parashikon 7 orë… Prokurorja do të fillojë me pyetjet e saj, por për këtë duhet të kalojmë në seancë private në mënyrë që të mbrojmë të dhënat tuaja personale”, u shpreh Smith.

Ndërsa, pas më pak se 1 orë që dëshminë e tij e dha në seancë të mbyllur, seanca u hap për publikun dhe prokurorja e ZPS-së bënte pyetje rreth një rasti për të cilin dëshmitari kishte folur.

Prokurorja: Na the se pe disa burra me armë zjarri, sa afër ishte kur i pe, nga sa afër i pe

Dëshmitari: Diku prej 3-4 metra

Prokurorja: 3-4 metra ishte kur i pe për herë të parë këta burrat

Dëshmitari: për herë të fundit kur i kam parë isha kur jam takuar me ta diku 3-4 metra jam takuar

Prokurorja: Sa larg ishte kur i pe për herë të parë

Dëshmitari: mbi 150 metra-200

Prokurorja: Dhe ti qëndrove në vend apo shkove në drejtim të tyre

Dëshmitari: Më trup për me iu dal përpara për ta ndal rastin

Prokurorja: The që shkove nga një rrugë tjetër

Dëshmitari: Shkova nga rruga tjetër se ata që ishin në makinë ishin një rrugë ma trup për me i dal përpara makinës isha më afër, se ku ishin hyp dhe ku u dufke me dal përpara

Prokurorja :Pse doje që të dilje përpara t’i shifje

Dëshmitari: T’i shihja sepse i dëgjova krismat dhe i pash që i kishin marr të afërmit e mijë në një makinë

Më pas prokurorja vazhdoi me pyetja karshi dëshmitarit të pestë duke e pyetur se njerëzit që i kishte parë për rastin që fliste çka kishin të veshur.

Në përgjigjen e tij ky dëshmitar tha se personat kishin të veshur uniforma të zeza me emblema të UÇK-së të cilat vendoseshin në krahë.

Prokurorja: Të përqendrohemi tek veshjet e këtyre njerëzve, çka kishin veshur këta njerëz

Dëshmitari: Po, këta kanë pasur uniforma të zeza të veshura me emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me maska në fytyrë

Prokurorja: Kur thoni me emblema të UÇK-së, a mund të na e përshkruani çfarë patë tek kjo emblema

Dëshmitari: Shkruan Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe UÇK është në krejt është emblema që i kemi mbajtur ne ushtria që kemi qenë të veshur

Prokurorja: Dhe kjo ishte emblema që pe tek burrat që ishin veshur me të zeza që morën të afërmit tuaj…Ju përmendet dhe ju thatë ne kishim ato emblema për kë e ke fjalën kur the ne?

Dëshmitari: Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Prokurorja: Në ç’vend të rrobave vendosjes kjo emblemë, ku mbaheshin

Dëshmitari: Në krahë

Në këtë seancë gjykimi trupi gjykues lëshoi urdhër gojor duke kërkuar parashtrime nga palët, deri më 31 maj, të gjenden zgjidhje për të siguruar që këto seancat të jenë publike në shkallë më të lartë.

Ndërsa, gjatë kësaj seance të sotme e ka përfunduar dhënien e dëshmisë së tij dëshmitari i katërt. Ai sot iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së Selimit dhe Krasniqit. Ndërsa, dëshminë e tij ka filluar ta jap nga 10 maji.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

​Trupi gjykues urdhëron palët të gjejnë zgjidhje për garantuar publicitet të seancave

Trupi gjykues në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka urdhëruar palët që deri më 31 maj të gjejnë zgjidhje për të garantuar publicitet të seancave në këtë proces.

Pasi katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) kanë dëshmuar në seanca private, kryegjykatësi Charles Smith ka thënë se kjo është bërë për të mbrojtur dëshmitarët.

“Ky trup gjykues është i shqetësuar se të gjitha provat janë dëgjuar në seancë private apo të mbyllura. I kujtojmë palëve se në bazë të nenit 21 paragrafi 1 të ligjit, të akuzuarit kanë të drejtë të dëgjojnë seanca publike dhe të drejta, dhe se është interesi publik që këto procedura sa më shumë të jetë e mundur të zhvillohen në seanca publike… Për fat të keq deri tani një pjesë e madhe e këtij gjykimi është bërë në seanca të mbyllura apo private, nevoja për mbrojtjen e dëshmitarëve sigurisht është përligje e masave mbrojtëse të urdhëruara nga trupit gjykues që nga ana tjetër kanë të bëjnë me karakterin publik të procesit. Kjo është e nevojshme për të mbrojtur dëshmitarët, në të njëjtën kohë është e rëndësishme që gjyqi të vazhdoj të jetë publik”, ka thënë ai.

Smith ka kërkuar nga mbrojtja që të ketë kujdes gjatë intervistimit, me qëllim që të mos nxjerrën informacione konfidenciale kur seancat janë të hapura.

“Palët pra urdhërohen të angazhohen në diskutime për këtë çështje dhe deri më 31 maj 2023 të sigurojnë zgjidhje për të garantuar publicitet më të madh të këtyre procedurave. Ndërkohë, për dëshmitarët e tjerë palët udhëzohen që të marrin parasysh parimin e publicitetit kur të kërkojnë që palët e dëshmive të dëgjohen në seanca private apo të mbyllura nuk do të kundërshtojmë që të futemi dhe të dalim në seanca private dhe të mbyllura sepse e kuptojmë se është pjesë e procesit….Materialet që janë konfidenciale t’i përcaktojmë që në fillim dhe pastaj të vazhdojmë me seancë publike deri të dalë diçka që është e nevojshme për tu mbrojtur, gjithashtu mendojmë që avokatët do të kenë kujdes të veçantë të mos nxjerrin informacion konfidencial gjatë seancave publike dhe do t’i formulojnë pyetjet e tyre në mënyrë që të shmang ndodhitë e tilla”, ka thënë ai.

Por, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se nuk kanë shkaktuar probleme të tilla.

Sipas Emmerson, urdhri i sapo dhënë nga trupi gjykues krijon përshtypjen se ekipet mbrojtëse janë pajtuar me situatën që gjykimi të mbahet në seanca private.

“Nuk kemi krijuar probleme të tilla sepse kemi qenë në seancë private. Unë jam i shqetësuar për faktin se përshtypja që mund t’i krijohet publikut nga urdhri që sapo dhatë është se ne mbrojtja jemi në njëfarë mënyre pajtuar me këtë situatë që është krijuar për faktin se ky gjyq është zhvilluar në seanca private”, ka thënë ai.

Pas këtij urdhri, ka filluar të dëgjohet dëshmitari i pestë i Prokurorisë.

Seanca ka vijuar private, që sipas kryegjykatësit, kjo është bërë për të mbrojtur të dhënat e dëshmitarit.

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e katër dëshmitarëve të prokurorisë.

Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

Back to top button