​Abdixhiku në Washington takon kongresmeni demokrat Ritchie Torres

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku njoftoi se është pritur në Kongres nga Kongresmeni demokrat Ritchie Torres, njëkohësisht bashkëkryesues i Grupit për Shqiptarët në Kongresin Amerikan.
Abdixhiku ka thënë se me Torres patën një diskutim të hapur e shumë përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon.
“Biseduam dhe për aspiratat e popullit të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik si dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së SHBA-ve në këtë rrugëtim. Si njohës i mirë i çështjes shqiptare dhe nevojave të Republikës sonë, Kongresmeni Torres ofroi mbështetje të parezervë. E falënderova për gjithë kontributin e dhënë në Kongres. Në veçanti, populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës për angazhimin e pandalshëm të tij drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve dhe nevojës për vënie të drejtësisë nga lufta e fundit në vend”, ka njoftuar Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku ka thënë se Kongresmenin Torres do të jetë këtë javë për vizitë në Kosovë. “Përveçse do të gjej një vend të bukur me histori plot, do të gjej dhe një popull mirënjohës për rolin e SHBA-ve në Kosovë”, ka thënë Abdixhiku./21Media

Back to top button