Abdixhiku: Një e treta e pagës mesatare në Kosovë do të shkojë për energji

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot ka reaguar pas paralajmërimeve për shtrenjtim të energjisë elektrike, duke thënë se papërgjegjësia dhe reagimi i vonshëm kushton.
Abdixhiku përmes një postimi në ‘Facebook’ ka informuar se LDK do ta kundërshtojë këtë të enjte në seancë parlamentare paralajmërimin e Qeverisë dhe presin që edhe deputet e tjerë ta kundërshtojnë, madje sipas tij një e treta e pagës mesatare në Kosovë do të shkojë për energji.
”Në fillim thanë s’kemi krizë. Më pas i dhanë 100 milionë euro për blerje të energjisë. Para të buxhetit të shtetit që mund t’i përdornim shumë më mirë. Tani kemi edhe krizë, edhe 100 milionë më pak, edhe shtrenjëtim të energjisë. Dhe dy javë nga sot, këtë padituri e papërgjegjësi të Qeverisë, përtej 100 milionëshit të djegur tashmë, do ta paguajnë më shumë se gjysma e familjeve kosovare në faturat e tyre mujore të energjisë. Ky është shtrenjëtimi më i lartë i energjisë elektrike në gjithë historinë e Kosovës. Përveç se po paguajmë shtrenjtë, përveç se familjet po diskriminohen pa ndonjë kriter logjik, nuk ka as plan e as ide për një zhvillim strategjik afatgjatē energjetik. Vendime të vonshme dhe zgjidhje skandaloze – ky është epilogu i paaftësisë. Jam i bindur, natyrisht, se edhe këtë herë do të gjejnë një fajtor diku në 20 vjet. Por s’ka gjë që mund ta mbulojë këtë jokompetencë. S’ka gjë që mbulon barrën financiare që po ja vënë familjeve kosovare”, ka shkruar Abdixhiku./21Media

Back to top button