Abdixhiku nuk i shkon në takim Kurtit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk do të jetë prezent në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti, të hënën.
Adixhiku i ka kthyer letrën Kurtit në të cilën i ka treguar arsyet e mospjesëmarrjes.
“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën e Abdixhikut drejtuar Kurtit.
Më tej Abdixhiku në letër ka thënë se partia që ai udhëheq do të votojë marrëveshjet ndërkombëtare.
“Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politik i japin dhe qëndrimet tona partiake. Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani”, përfundon letra e Abdixhikut./21Media