Përparim Rama kandidon për Prishtinën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se Përparim Rama është kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës.
Kreu i LDK-së përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se gjatë muajve të fundit është takuar Ramën dhe kanë diskutuar “shtruar e qartë për problemet më bazike të Kryeqytetit”.
“Për ngufatjen, ndotjen, ngarkesën e për dhënien e shpirtit të qytetit – të pamjes e përvojës, të hapësirës e komunitetit, të organizimit të vet jetës – të ndërtimit të Prishtinës në qytetin që e duam të gjithë. Kam qenë i mahnitur jo vetëm me dashurinë e tij ndaj Kryeqytetit por edhe me zgjidhjet e tij për problemet tona më bazike. Përparimi ka vizionin që e kërkojmë tash e sa kohë. Jam i bindur se do ta pranoni këtë vision”, ka thënë Abdixhiku.
Përparim Rama, i lindur në Prishtinë, me prejardhje nga Gollaku, mbanë titullin magjistër shkence në fushën e urbanizmit e arkitekturës. Është edhe ligjerues në univeristete të ndryshme botërore; ndër të tjerash në ‘Nottingham University School of Architecture’ e në ‘University of East London’. Është anëtar i Associacionit të Arkitektëve të Britanisë. Është i martuar me Kristale Rama dhe ka tre fëmijë.
I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se pas autorizimeve që kam marrë nga degët, javën që vjen do t’i propozojë nominimin e tij Kryesisë së partisë.
“Menjëherë më pas do të ndërtojmë e prezantojme edhe ekipin për qeverijse e për asamble. Nga aty do të ndërtojmë e prezantojmë zgjidhjet më praktike të problemeve më kronike të qytetarëve tanë – një model krejt ndryshe deri më tani. Secili banorë i secilës lagje të kryeqytetit do të gjejë veten në këtë model. Fjalët boshe e zhurmat politike do të duken siç edhe vërtetë janë – të thata”, ka shkruar tutje Abdixhiku./21Media