Abdixhiku prezanton Janina Ymerin si kandidate për deputete

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar sot se aktivistja, Janina Ymeri, do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të LDK-së për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Përmes një postimi në Facebook, lideri i LDK-së ka vlerësuar lartë angazhimin publik të Ymerit, duke e përshkruar atë si shembull të aktivizmit politik dhe të guximit qytetar. Duke theksuar se Ymeri është bërë e njohur për denoncimin e, siç e ka quajtur ai, “skandalit të mafias energjetike” dhe për ngritjen e zërit kundër rrjeteve korruptive në sektorin e energjisë.
Postimi i plotë:
Janina Ymeri këto ditë është shndërruar në pasqyrimin më të denjë të aktivistes politike. Si veprimtare e LDK-së, ajo shpalosi skandalin e madh të mafias energjetike dhe milionat e qytetarëve të Kosovës që përfunduan në llogaritë e Vuk Hamovićit – të birit të ish-shefit të Armatës Jugosllave Rade Hamović.
Vukvendosje – siç i dha epitet me të drejtë ajo, shërfaqë më së miri mashtrimin popullist që ndodhë sot. Njërën dorë të shtrirë tek mafia energjetike dhe milionat e popullit të Kosovës që shkojnë aty( tjetrën me gisht ndaj patriotëvë të vendit për tradhëti. Trushpëlarja kështu duket.
Janina, e vetme, ngriti zërin, kërkoi llogari dhe artikuloi me fakte se si rrjetet korruptive në sektorin energjetik po kapnin institucionet e vendit tonë. Pa frikë. Pa hezitim. Pa kalkulim.
Janina Ymeri përfaqëson më së miri aktivisten politike të kohës sonë: atë që nuk e tremb pushteti; atë që nuk e blen propaganda; atë që nuk e hesht padrejtësia. Ajo vjen në politikë nga beteja e së vërtetës. Nga përballja me korrupsionin. Nga përkushtimi i sinqertë për interesin publik.
LDK është shtëpia e njerëzve të tillë; të drejtë, të guximshëm, profesionalë. Njerëzve që nuk e përdorin politikën për vete, por për vendin.
Prandaj jam i lumtur t’ju njoftoj se Janina Ymeri do të jetë pjesë e listës sonë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ajo ka treguar se si duket aktivisti i vërtetë: me fakte, me integritet dhe me vizion për një shtet ligjor.
E tani është koha që ky integritet të përfaqësohet në Kuvend.