Abdixhiku: Shoqëria duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se kërkimi i listave të punonjësve në grevë, nga ana e Qeverisë, përveçse presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridik.
“Ky është narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim”, tha ai.
Abdixhiku theksoi se shoqëria kosovare duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publik që me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog, dinjitet e përballueshmëri.
“Këtë përballueshmëri ata se gjejnë dot. Ata kanë gjetur një kryeministër që me frikë e kërcënim, provon t’i mbulojë të gjitha dështimet e tij. Ndërprerja e kontratave të tyre, në këtë kohë krize, është goditja më e rëndë që një Qeveri mund t’u japë qytetarëve të vet. Kështu nuk duhet të duket Kosova demokratike, kështu nuk duhet të trajtohen punëtorët tanë. Kryeministri i premtimeve, që sot s’mund ta mbajë asnjë, po dëshmon, si çdo ditë, që është i paaftë për të menaxhuar me vendin, kërkesat qytetare e krizat e mëdha”, theksoi kreu i LDK-së.
Mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, nga sot kanë hyrë në grevë. Kërkesa kryesore e tyre është ndarja e nga 100 eurove, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat./21Media

Back to top button