Opozita mirëpret vendimin për vizat

(Lajm i përditësuar)

Abdixhiku: Trajtimit të padrejtë më në fund i erdhi fundi

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku e ka përshëndetur miratimin e liberalizimit të vizave nga Parlamenti Evropian.

”Një ditë e paharrueshme për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj pasi liberalizimi i shumëpritur i vizave miratohet përfundimisht nga Parlamenti Evropian“, ka shkruar Abdixhiku në Twitter.

Abdixhiku ka shtuar se procesi i vonuar deri më tash është i padrejtë për Kosovën.

”Një trajtim i padrejtë dhe i padrejtë më në fund e sheh fundin. Ne e festojmë këtë moment historik dhe presim me padurim një të ardhme brenda familjes evropiane“, ka thënë ai.

Krasniqi: Sot urimet i meritojnë qytetarët tanë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar qytetarët lidhur me vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Krasniqi ka shtuar se shpreson që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë.

“Vendimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, edhe pse shumë i vonuar, është mëse i merituar e i mirëseardhur. Prandaj, para se gjithash, sot urimet i meritojnë qytetarët tanë. Shpresoj që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë”, ka shkruar Krasniqi.

Pacolli: Ditë historike për vendin tonë, edhe pse e vonuar

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka uruar qytetarët e Kosovës për liberalizmin e vizave.

Pacolli ka thënë se sot është ditë historike për vendin tonë edhe pse është e vonuar.

“Urime të gjithë qyetarëve të Kosovës! Një ditë historike për vendin tonë. Edhe pse e vonuar! Eurodeputetët më në fund miratojnë liberalizimin e vizave me Kosovën. Nga 1 janari lëvizim të gjithë të lirshëm! Akti do të nënshkruhet sot në ligj nga Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola dhe Presidenca suedeze e BE-së”, ka shkruar Pacolli.

Haradinaj: Urime Kosovë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka mirëpritur vendimin e Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për Kosovën.

Haradinaj ka falënderuar eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor dhe për gjithë ata që kontribuan që ky proces të përmbyllet me sukses.

“Lajm i mrekullueshëm nga Parlamenti Evropian, që sot heqi pengesën e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën! Falënderim i veçantë për eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor dhe për gjithë ata që kontribuan që ky proces të përmbyllet me sukses”, ka shkruar Haradinaj.

Në një postim në Facebook ai ka shtuar se tashmë është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe.

“Urime Kosovë”, shkruan Haradinaj./21Media

Back to top button