Abelard Tahiri i reagon Vjosa Osmanit

Tahiri: Pushteti aktual po provon të vendosë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit

Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i ka reaguar kryetares e Kuvendit të Kosovës në lidhje me mbajtjen e sotme të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pa opozitën.

Tahiri ka thënë se për shkak të sjelljes së Vjosa Osmanit, opozitës po i kufizohet ushtrimi i rolit të saj.

“Sjellja irracionale, antiligjore dhe militanteske e Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, po e dëmton imazhin e demokracisë tonë parlamentare dhe traditës shtet formuese që kemi ndërtuar. Kjo sjellje është e papranueshme. Ajo po e mban peng funksionimin e mirëfilltë të grupeve parlamentare dhe po e cenon qëllimshëm punën e opozitës në Kuvendin e Republikës. Për shkak të sjelljes së saj antiligjore e irracionale dhe të qëllimshme e të akorduar me Albin Kurtin, opozitës po i kufizohet ushtrimi i rolit të saj. Kjo u pa sot, kur në mungesë të PDK-së, partitë në pushtet kanë përzgjedhur Komisionet Parlamentare në një format jashtëzakonisht të dëmshëm për transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin demokratik të sferës institucionale”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se pushteti po tenton që të vë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit.

“Fakti se VV-ja dhe LDK-ja që drejtojnë qeverinë, kanë marrë përsipër kryesimin e komisioneve kryesore parlamentare siç është ai për Legjislacion; Buxhet dhe Financa; Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së; Bujqësi e Zhvillim Rural, si dhe atë për Arsim, Shkencë e Teknologji, është treguesi më i qartë se pushteti aktual po provon të vejë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit duke eliminuar kështu linjat e llogaridhënies”, ka shkruar ndër të tjera Tahiri në Facebook./21Media

Back to top button