Abott thotë se Institucionet e Kosovës dëshmojnë vullnet për transparencë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra ka theksuar se gjendja në administratë nuk është e mirë. Këto komente ai i bëri në konferencën vjetore me temën “Rritja e Mbikëqyrjes Publike dhe Llogaridhënies Institucionale në Kosovë”, me ç’rast ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abott theksoi se institucionet e Kosovës përmes këtij projekti dëshmuan vullnet për transparencë dhe llogaridhënie.
Abott u shpreh se ky projekt i cili është i financuar nga qeveria britanike ka dëshmuar se institucionet e Kosovës kanë vullnet që të jenë transparente dhe llogaridhënies.
Duke shtuar se shoqëria në Kosovë është shumë aktive dhe e paanshme, Abott theksoi se përmes këtij projekti është mundësuar të identifikohen dhe parandalohen shkeljet e ligjit.
“Projekti i financuar nga qeveria britanike mbështetje për shoqërinë civile për të rritur të mbikëqyrë llogaridhënien e institucioneve… ka për qëllim që përmes bashkëpunimit me institucionet e Kosovës dhe ndërmarrjet publike t’i identifikojë dhe t’i parandalojë shkeljet e mundshme të ligjit… Rezultatet e para po shihen kemi reagime të institucioneve të cilat bazuar në rekomandimet e partnerëve zbatues kanë vepruar dhe kanë evituar shkeljen dhe korrupsionin, të freskët e keni rastin me Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale e cila ka reaguar me rastin e rekrutimin të drejtorit dhe ka zbatuar rekomandimet e ekspertëve të projektit…
Zbatimi i këtyre rekomandimeve dëshmon vullnetin e institucioneve të Kosovës të jenë transparente dhe llogaridhënëse, tregojnë që paratë publike nuk u takojnë atyre por qytetarëve të saj, dëshmon që krimi dhe korrupsioni brenda institucioneve duhet dhe mund të ndalet, mirëqenia e qytetarëve parandalimi i krimit të organizuar dhe eksportimi i krimit duhet të jetë synimi i çdo qeverie e kjo arrihet vetëm me bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile dhe qytetarë”, u shpreh ai.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra u shpreh se gjendja në administratën publike nuk është e mirë.
Ai tha se duke punuar në aspektin legjislativ po synojnë ta bëjnë më profesionale administratën.
“Gjendja në administratën tonë nuk është e mirë, përveç faktit që u përmend më herët tek mbipunësimi në ndërmarrjet publike e që në fakt është edhe administratën shtetërore sipas një studimit të vitit 2020 punësimi publik në shtetet e ISD-së është diku 21% në Kosovës është 31%, pra kemi një 10% më shumë sesa në vendet e zhvilluara e në fakt shërbimet që i marrim nuk janë të kualitetit të njëjtë sikurse ato në shtetet në shtetet e zhvilluara… Përmes rishikimit të Ligjit për zyrtarët publikë por në përgjithësi përmes rishikimit të ligjeve të ndryshme dhe hartimit nga fillimi si rasti me Ligjin e pagave ne synojmë që ta bëjmë një ndryshim rrënjësor në mënyrë që ta kemi një administratë profesionale, më profesionale dhe që është në gjendje t’i përgjigjet problematikave me të cilat jo vetëm shoqëria por edhe bizneset përballen me këtë në mënyrë ditore… Ligji për zyrtarët publikë sjellë një ndryshim rrënjësor e që është hapja e pozitivave edhe për kandidatët nga jashtë. Është përmendur shumë se kemi një numër të pozitave që janë duke dështuar rekrutimet që po dështojnë nganjëherë për shkak të mungesës së kandidatëve, është shumë e vërtetë kjo”, u shpreh Dobra.
Ndërsa drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbëreshë Loxha-Stublla u shpreh se qëllimi i këtij projekti është promovimi i transparencës dhe llogaridhënies si dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo tha se monitorimi i shoqërisë civile luan një rol kritik në ekspozimin e praktikave të dëmshme korruptive, dhe rrit përgjegjësinë e zyrtarëve qeveritarë.
“Projekti ynë paraqet një përpjekje për të promovuar transparencën dhe qeverisjen e mirë brenda institucioneve publike dhe natyrisht parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qasja jonë në kuadër të këtij projekti nuk ka qenë qasje kushtimisht ‘agresive’, qasja jonë ka qenë që direkt të angazhohemi dhe të punojmë me institucione në momentin që kemi parë mangësi, shkelje ligjore, në mënyrë që të njëjtat të adresohen para se proceset të shkojnë larg dhe të dëmtohen, qasja jonë është që të parandalojmë dhe adresojmë shkeljet para se ato të jenë të dëmshme për proceset e përgjithshme qeveritare dhe gjithashtu në kuptim të transparencës dhe llogaridhënies”, tha ajo.
Në këtë konferencë vjetore është publikuar edhe raporti me të gjeturat për pesë kompentente kryesore të projektit e që përfshinin : procesin e rekrutimit në sektorin publik, praktikat e prokurimit publik dhe menaxhimin e kontratave, shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve, dhënien e lejeve, licencave dhe tarifave, dhe performancën dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike.
Në kuadër të këtij programi është monitoruar procesi i rekrutimit të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Informim dhe Privatësi ku CorrWatch ka rekomanduar që të përmirësohet shpallja duke larguar kriteret joligjore dhe gabimet teknike.
Ndërsa, tek procesi i drejtorit të Përgjithshëm i Shërbimi Sprovues i Kosovës, CorrWatch ka identifikuar disa lëshime kryesisht teknike. Gjatë monitorimit të procesit të zgjedhjes së drejtorit të Përgjithshëm i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, CorrWatch ka konstatuar se është bërë shkelje ligjore duke eliminuar nga lista e ngushtë në procesin e verifikimit paraprak kandidatët të cilët nuk kishin sjellë dokumentin që dëshmon zotësinë për të vepruar.
Sipas raportit rekomandohet që për proceset e rekrutimit të rriten kapacitetet njerëzore për menaxhim të këtyre proceseve si dhe të ofrohen trajnime për stafin rekrutues.
Tek komponenta e prokurimit publik sipas raportit secili aktivitetet i prokurimit i analizuar ka shpërfaqur problematikat me persistente që janë në fushën e prokurimit publik si gabimet teknike, problemet me specifikacionet teknike si dhe mangësitë e kornizës ligjore të prokurimit publik.
Raporti tregon se monitorimi i performancës në ndërmarrje publike tregon se ndërmarrjet publike kanë qenë institucionet më të mbyllura për publikun. Sa i përket efikasitetit, të dhënat e disponueshme tregojnë se një pjesë e madhe e ndërmarrjeve publike operojnë me humbje, e disa vazhdojnë të varen nga mbështetja financiare nga qeveria dhe donatorët.
Konferenca vjetore “Rritja e Mbikëqyrjes Publike dhe Llogaridhënies Institucionale në Kosovë” është program i realizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)./kp

Back to top button