Abrashi: Vëmendja e Qeverisë për projektet zhvillimore po koncentrohet gjithnjë e më shumë në Gjilan

 

 

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, sot ka marrë pjesë në asfaltimin e qytetit të Gjilanit, projekt ky i zgjerimit, i financuar nga ministria që ai drejton.

Me këtë rast, Abrashi ka thënë se vëmendja e Qeverisë së Kosovës për projektet zhvillimore në Anamoravë, po koncentrohet gjithnjë e më shumë në Gjilan.

Jemi finalizimin e këtij bulevardi për të treguar edhe përkushtimin e Qeverisë dhe timin për projektet e nisura më herët, sikurse ky. Me kryetarin Lutfi Haziri, kemi diskutuar edhe për projektet në vitet e ardhshme. Zotohem se do ta vazhdojmë fazën tjetër në vitin e ardhshëm, derisa në javët në vijim do të jem prapë në Gjilan, kur do të fillojmë punët në rehabilitimin e hyrjes së Gjilanit në drejtim të Kllokotit”, ka thënë Abrashi.

Abrashi ka konfirmuar se javët në vijim do të shpallet edhe tenderi për pjesën e mbetur të autostradës, nga Përlepnica e deri te Dheu i Bardhë.

Me këto projekte, Gjilani po integrohet në rrjetin e rrugëve të Ballkanit. Prandaj javëve në vijim do të shohim punë konkrete dhe projekte madhore dhe rrugë që e lidhin Gjilanin me Preshevën, por edhe Maqedoninë e Veriut”, ka theksuar ai.

Ndërsa, kryetari Haziri, ka thënë se ky projekt ambicioz e kthen Gjilanin si zonë urbane në programin 2020-2025, si njëra nga qendrat ku njerëzit dhe zhvillimi i ekonomisë e janë prioritet.

Projekti i filluar para disa vitesh, po merr formë. Do të vazhdojmë në pjesën tjetër të zgjerimit dhe standardizimit prej sheshit ‘Rexhep Mala e Nuhi Berisha’, ‘Kadri Zeka’ deri te lapidari i Abdullah Tahirit. Rigjenerimi parasheh fazën e dytë në vitin e ardhshëm, ku përfshihet integrimi i rrugëve kryesore ‘Madeline Albright’, ‘Adem Jashari’ e ‘Mulla Idriz Gjilani’”, tha Haziri.

Për shkak të temperaturave të larta, bulevardi “Ibrahim Rugova”, nga semaforët e deri tek Sahatkulla, mbetet i bllokuar edhe për 24 orët e ardhshme.

Rrjedhimisht, kjo rrugë do të mbetet e bllokuar deri nesër, në ora 19:00.

Back to top button