Abuzime me tenderat, arrestohen 4 ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë

Arrestimi i tyre është bërë pas një hetimi të Prokurorisë së Tiranës

Katër ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri kanë rënë në pranga për abuzime me tendera.

Të arrestuarit janë ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha, ish-drejtori i Shërbimeve Mbështetëse, Aurel Lamçe dhe dy ish-shefat e IT-së, Lysien Ali dhe Arlind Alikaj.

Arrestimi i tyre është bërë pas një hetimi të Prokurorisë së Tiranës lidhur me procedurat e tenderimit në këtë institucion gjatë periudhës 2016-2017.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë në funksion të hetimeve të kryera për procedurat e tenderimit në Ministrinë e Drejtësisë për periudhën kohore 2016-2017, ka marrë në hetim 12 persona të dyshuar për veprat penale të Shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal”.

Nga organi i akuzës mësohet se hetimet janë shtrirë në 5 tendera, konkretisht:

1. Mirëmbajtja dhe mbikëqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative

2. Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale

3. Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar

4. Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës

5. Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit

Shkeljet janë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave, raporton oranws.

Siç bëhet me dije, “hetimet kanë nxjerre në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit. Disa nga sistemet objekt të këtyre procedurave të prokurimit në një pjesë të madhe nuk janë funksionale”.

Hetimet kanë pasur në fokus funksionarët publik që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të verifikimit të ofertave dhe komisioneve për mbikqyrjen e zbatimit të kontratave.

Back to top button