Ademi: Motoja e vitit 2023 “Kosova në Evropian”

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, deklaron se do të përqendrohen maksimalisht që Kombëtarja të kualifikohet për Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani. Madje, ai thotë se motoja e këtij viti do të jetë “Kosova në Evropian”. Ai flet edhe për përmirësimin e infrastrukturës sportive.
Masovizimi i futbollit tek gjeneratat e reja duke përfshirë të gjithë territorin e Kosovës ishte njëri nga premtimet më të mëdha që Agim Ademi kishte dhënë për të marrë edhe një mandat në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës në prill të vitit 2022.
Rreth 10 muaj më vonë, ai thotë së ka punuar fuqishëm në realizimin e këtij premtimi dhe se tashmë janë krijuar shumë liga për grupmoshat e reja në mënyrë që përfshirja e tyre në futboll të jetë në moshë sa më të re.
“Kosova tani, përveç Superigës, Ligës së Parë, Ligës së Dytë dhe Lugës së Tretë, kemi edhe ligat e juniorëve të cilat zhvillohen nën patronatin e federatës, Superliga dhe Liga e Parë e juniorëve. Gjithsesi edhe garat e fëmijëve, që nga U8, deri në U15 të cilat zhvillohen nëpër regjione dhe kemi futsallin me dy gola, kemi futbollin e femrave me tri liga, që do të thotë masivizimi për një federatë si jemi ne, është jashtëzakonisht i kënaqshëm”, tha Ademi.
Kreu i FFK-së rendit edhe angazhimet që janë bërë për përmirësimin e infrastrukturës sportive.
“Te pjesa e infrastrukturës, për herë të parë po ua bëj me dije këtu se nga mandati im i marrë, i ri, që nga prilli, deri më tani janë bërë tetë fusha stërvitore, që do të thotë i bie diku rreth pak më shumë se një muaj, që i bie çdo një muaj e pak ditë është realizuar nga një fushë stërvitore nëpër të gjitha pjesët e Kosovës… Kemi bërë edhe përgatitjen ose rinovimin e zhveshtoreve të shumë klubeve, ujitjen e stadiumeve duke pasur dëshirë për t’i ruajtur stadiumet me bari natyral… Kështu që unë jam shumë i lumtur t’i arrijmë përveç infrastrukturës, përveç ambienteve të federatës, kushteve të punës së tyre, po ashtu edhe kampet nacionale që një e kemi në përfundim e sipër në Hajvali, e kemi filluar edhe kampin në Obiliq, do të fillojë edhe kampi në Batllavë dhe kështu do të vazhdojmë që Kosova do t’i ketë tri kampe dhe stadiume të bollshme”, thotë Ademi.
Por, i pari i FFK-së thekson se ka pritur që punimet në ndërtimin e stadiumeve nga Ministria e Sportit të jenë më të shpejta dhe më konkrete.
“Unë kam pritur që do të fillojnë punët më shpejtë, por procedurat tek ne si janë dhe problemet të cilat kanë dalë dhe që i kam të njohura të gjitha nga ministria, diskutimet tona që i kemi pasur, nuk e fajësoj ministrin (Hajrulla Çeku) në këtë rast për faktin që është dashur të ecin procedurat të cilat kanë mbetur përgjysmë, ka pasur lëshime. Është krejt normale që duhet bazën juridike fillimisht ta kemi dhe pastaj investimi të bëhet… Sigurisht që Kosova do t’i ketë edhe tre apo katër stadiume të kategorisë katër dhe të nivelit evropian”, bën të ditur ai.
“Kosova në Evropian” do të jetë motoja e FFK-së për vitin 2023. Sipas Ademit, tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet që ta kërkojmë dhe ta shohim Kosovën duke luajtur në Kampionatin Evropian të futbollit.
Kundërshtarët e Kosovës në kualifikuese si Zvicra, Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andorra, për Ademin nuk janë të pakalueshëm.
“Trajnerin gjithmonë e mbajnë rezultatet dhe rezultati nuk ka qenë i kërkuari, apo i dëshiruari më mirë të them, por nuk mund ta quaj dështim dhe prandaj kemi vazhduar me Giressen. Do të vazhdojmë edhe në këtë kampionat, kampionatin e ardhshëm evropian… Motoja jonë do të jetë ‘Kosova në Evropian’ sepse të gjithë fokusin tonë do ta dërgojmë në Kombëtare A dhe në kualifikimin e saj për në Evropë. Shpresoj, e kam thënë dhe po e ceki prapë, e kemi një grup korrekt, jo të lehtë, por grup korrekt ku e shohim veten të kualifikuar nga ky grup”, shton Ademi.
Në vazhdën e vizitave të figurave të rëndësishme të futbollit në Kosovë, Ademi zbulon se gjatë vitit 2023 në Kosovë do të zbarkojnë emra të njohur si braziliani Ronaldo dhe portugezi Luis Figo.
“Sa i përket takimeve të mia, kam pasur takime dhe kam të shumta. Ronaldo është një prej atyre që ka qenë në kohë, siç e dimë ka qenë në Kosovë dhe sigurisht që Ronaldo e ka atë ndjenjë dhe është konkrete që Ronaldo e pret një ftesë në një rast që do ta kemi ne dhe sigurisht kur ta kemi rastin.. Ronaldon do ta kemi mysafir, jo vetëm Ronaldon po edhe shumë personalitete të tjera… Por gjithsesi nuk e harrojmë edhe ardhjen e Figos sepse Figo është planifikuar… Sigurisht që do të vijë”, përfundon Ademi.
Por, dy emrat e lartcekur nuk do të jenë të vetmit që do ta vizitojnë Kosovën gjatë këtij viti, por ata do të zbulohen muajt e ardhshëm./KP

Back to top button