Ademi: Muzika dhe futbolli humbën një yll – lamtumirë Shemsi Krasniqi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të vokalistit legjendar të grupit “Ilirët”, Shemsi Krasniqi – Shemi.
Përmes një reagimi në Facebook, Ademi ka thënë se kënga e tij siç e quan ai ikonë “Xhamadani vija vija” u shndërrua një himn frymëzues për futbollistët dhe tifozërinë e Kosovës dhe Shqipërisë.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të vokalistit legjendar të grupit ‘Ilirët’, Shemsi Krasniqi – Shemi. Kënga e tij ikonë “Xhamadani vija vija”, nuk është thjesht një këngë; ajo u shndërrua në një himn frymëzues për futbollistët dhe tifozërinë e Kosovës dhe Shqipërisë. Jehona e kësaj kënge ka mbushur stadiumet me emocion dhe krenari dhe do të vazhdojë të këndohet me të njëjtin pasion. Sot, muzika dhe futbolli humbën një yll, por trashëgimia artistike e Shemit do të qëndrojë përjetësisht mes nesh. Ngushëllime familjes, komunitetit të artistëve, miqve dhe të gjithë fansave të tij. Pushofsh në paqe, mjeshtër i madh!”, thuhet në reagimin e kryetarit të FFK-së.