Ademi në përvjetorin e Vokrrit: Ai mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka vlerësuar lartë kontributin e legjendës së futbollit të Kosovës Fadil Vokrri i cili sot katër vjet më parë u nda nga jeta.
Ademi përmes një shkrimi në “Facebook”, ka thënë se Vokrri mbetet pjesë e motivimit të gjeneratave të reja dhe se personalisht ndihet i nderuar që ishte në mesin e miqve të tij.
“Sot bëhen katër vjet që kur na la presidenti, miku dhe Legjenda jonë, Fadil Vokrri. Një figurë emblematike e futbollit të Kosovës, që në rininë e tij të hershme u shqua si njëri nga futbollistët më të spikatur në trojet shqiptare dhe jo vetëm, derisa për shumë vite u dallua edhe si drejtues i denjë i FFK-së. Sot, Legjenda na mungon të gjithëve fizikisht, por përherë mbetet në kujtimet tona si një personalitet i cili me karrierën e tij të bujshme i dha vlera të mëdha futbollit të Kosovës, teksa udhëhoqi me sukses procesin e anëtarësimit në UEFA e FIFA. Fanella me numrin 9 e simbolizonte karrierën e tij madhështore. Tani 9 qershori e simbolizon përkujtimin e tij të përjetshëm, teksa në çdo ndeshje të Kombëtares së Kosovës minuta e 9-të simbolizohet me brohoritjet e tifozëve me emrin e tij”, ka shkruar ai.

Mëngjesin e 9 qershorit të vitit 2018, ndërsa po ushtronte në palestër Vokrri pësoi një sulm në zemër dhe ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare.
Lamtumira e fundit Vokrrit iu dha me nderimet më të lart shtetërore të nesërmen, më 10 qershor, ndërsa ajo ditë ishte ditë zie kombëtare./21Media
 

Back to top button