Ademi për Euro 2020: Italia e meritoi

 
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka uruar Kombëtaren e Italisë pasi u shpallën kampion të Evropës duke e mposhtur Anglinë në finalen e cila u zhvillua të dielën në stadiumin “Wembley”.
Ai ka thënë se Italia e meritoi trofeun e më të mirit të Evropës pasi kishin një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe ishin një skuadër me besim të madh.
“Mbrëmë nuk mjaftuan 120 minuta lojë për t’u përcaktuar kampioni i ri i Evropës. Spektaklin e futbollit në “Wembley” e shijuam deri në fund me gjuajtjen e penalltive, aty ku mes drithërimash e emocionesh me më shumë fat ishin futbollistët e Italisë, të cilët iu gëzuan fitores dhe trofeut të dytë evropian në histori. Këtë sukses Italia e arriti me plot meritë dhe pas një rrugëtimi të jashtëzakonshëm përplot besim në skuadër dhe me lojë kolektive. Urimet më të mira për futbollistët, stafin e kombëtares italiane, presidentin e federatës dhe mikun tim, Gabriele Gravina, për të gjithë popullin italian dhe tifozët e kësaj kombëtareje kudo në botë për këtë triumf madhështor”, ka shkruar Ademi në Facebook.
I pari i FFK-së e ka uruar gjithashtu edhe Anglinë dhe Presidentin e UEFA-së Aleksandër Çeferin.
“Njëherësh përgëzime edhe për Kombëtaren e Anglisë, që bëri paraqitje të shkëlqyeshme në rrugëtimin e saj deri në finalen e madhe, e veçmas për UEFA-n dhe presidentin Aleksandër Çeferin, që përkundër situatës me pandeminë arritën që ta organizojnë këtë turne në mënyrën më të mirë dhe me tifozë në stadiume, duke ia rikthyer kësisoj futbollit magjinë e munguar tash e 1 vit e gjysmë.”, thuhet në fund të shkrimit të Ademit.

Back to top button