Ademi sqarohet rreth vendimit të UEFA-së për pezullimin e tij
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka reaguar pse qarkullimit të një letre gjatë ditës së sotme ku pretendohej se ishte një vendim i UEFA-së për ta pezulluar Agim Ademin nga ushtrimi i funksionit të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ademi përmes një postimi në Facebook ka pretenduar se letra e publikuar ishte vetëm një draftvendim i Komisionit Disiplinor të UEFA-s, i vitit 2020, i cili kishte propozuar për të marrë një vendim ndaj meje por që asnjëherë nuk është marrë dhe nuk ka hyrë në fuqi.
Ai tutje ka shtuar se “sa më afër ditës së kuvendit të rregullt zgjedhor në vazhdimësi po tentohet të dezinfomohet opinioni me informata jo të sakta rreth meje”.
“Sot gjatë mbrëmjes është prezantuar një draftvendim i Komisionit Disiplinor të UEFA-s, i vitit 2020, i cili kishte propozuar për të marrë një vendim ndaj meje por që asnjëherë nuk është marrë dhe nuk ka hyrë në fuqi. Rrjedhimisht asnjëherë s’ka pas vendim dënues nga UEFA ndaj meje. Derisa në vitin 2020 rasti im personal ishte në procedurë gjyqsore në Kosovë, ishte kërkuar nga UEFA që të marrë masa me pretekstin se kishte dënim në Kosovë ndaj meje. Pas marrjes së vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, UEFA i ka ndalur të gjitha porcedurat diciplinore dhe asnjëherë nuk ka pasur vendim të plotfuqishëm nga UEFA ndaj meje. Po të ishte e kundërta, unë nuk do të mund të rrija në pozitën e kryetarit të FFK-së për dy vite prej asaj kohe. Fatkeqësisht, kjo është edhe një përpjekje e radhës që tentohet të ndryshohet vullneti i anëtarëve të Kuvendit të FFK-së me të pavertëta dhe dezinformata. E vërteta është se anëtarët e FFK-së, klubet me delegatët e tyre, e njohin të vërtetën dhe punën e deritashme timen në FFK dhe ata do të jenë të vetmit që do të vendosin për FFK-në dhe askush tjetër”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Të mërkurën u raportua se Ademi ka pasur një përleshje fizike me Artan Govorin, punëtor i FFK-së dhe ky i fundit e ka raportuar rastin në polici./21Media