Ademi thotë se janë shitur biletat për ndeshjen Kosovë – Irlandë e Veriut

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka falënderuar të gjithë qytetarët për interesimin e jashtëzakonshëm për t’i qëndruar përkrahë Kombëtares së Kosovës.
“Përkundër se në ndeshjen e kaluar u dëshpëruam me humbjen nga Greqia, ju dëshmuat se dini të vlerësoni djersën e djemve tanë, dëshirën dhe përkushtimin e tyre për të dhënë më të mirën në fanellën e shenjtë të Kosovës. Futbolli është përplot emocion dhe i ka të tri rezultatet. Nganjëherë nuk e arrin dot objektivin gjatë 90 minutave lojë, por dëshira, vullneti dhe emocioni që na dhuron Kombëtarja jonë janë të jashtëzakonshme dhe ju dini t’i çmoni e vlerësoni ato”, ka shkruar Ademi në Facebook.
“Mbështetja madhështore që i ofruat Dardanëve në ndeshjen me Greqinë, por edhe tani për ndeshjen e radhës kundër Irlandës së Veriut, ku sërish stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të jetë përplot dhe do të jehojë me ‘Besa-Besë’, meriton mirënjohje dhe respekt”, ka shtuar Ademi.
Ai ka njoftuar se të gjitha biletat e ndeshjes kundër Irlandës së Veriut tashmë janë shitur, me përjashtim të një sasie të vogël për zonën VIP, e të cilat të interesuarit ende mund t’i sigurojnë përmes platformës online.
“Në këtë formë ju e vërtetuat se Kombëtarja e Kosovës është dashuri e përjetshme dhe vlerë shtetërore, të cilën duhet ta ruajmë e respektojmë në fitore, barazime e humbje. Ne jemi të vetëdijshëm se kapaciteti aktual i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ nuk i përmbush kërkesat për numrin e madh të të interesuarve, prandaj ndjejmë keqardhje që shumë qytetarë janë të shtrënguar që ndeshjen ta ndjekin nëpërmjet ekraneve televizive”, ka shkruar Ademi.
Tutje, ai ka theksuar se janë duke punuar së bashku me Komunën e Prishtinës, që së shpejti të fillojë projekti i zgjerimit të tribunës lindore, e cila sipas Ademit, do të mundësojë që të ketë numër më të madh të tifozëve në stadium.
“Faleminderit për mbështetjen e madhe! Ju ftoj që bashku t’i përkrahim djemtë tanë fuqishëm për t’u rikthyer te fitorja!”, ka përfundurar kreu i FFK-së./21Media

Back to top button