Arrestohet 22-vjeçari në Obiliq

Një person është arrestuar të martën në Obiliq, nën dyshimin për veprën penale të kanosjes, ndërsa gjatë aksionit policia i ka sekuestruar edhe një armë të tipit AK-47.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në rrugën “Fejzullah Preniqi” në Obiliq.
“Ka qenë reagimi i shpejtë i sektorit të hetimeve të Obiliqit ai që ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar. Të njëjtit i është gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47”, thuhet në njoftimin e policisë.
I arrestuari është identifikuar me inicialet Sh.P., 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
“Me vendimin e prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’”, njofton Policia.
Sipas policisë, hetuesit janë duke vazhduar punën për sqarimin e plotë të motiveve dhe rrethanave të rastit.
“Aktualisht hetuesit policor po punojnë për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?