Adoleshentët mund të hospitalizohen në Psikiatrinë e Fëmijëve, inaugurohen dy objekte

Nga sot, fëmijët dhe adoleshentët përveç që do të marrin shërbime ambulantore, ata do të mund të hospitalizohen në Objektin e Psikiatrisë së Fëmijëve në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Kjo, pas inaugurimit të renovimit të Objektit të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe objektit të Psikiatrisë Intensive nga Ministria e Ekonomisë përmes Projektit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme i financuar nga Banka Botërore përmes kredisë IDA dhe zbatuar nga Ministria e Ekonomisë.
Me këtë rast, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se synimi i investimeve në objektet spitalore dhe të tjera është t’i bëjnë ato sa më efiçiente, kështu duke mbrojtur ambientin dhe kursyer buxhetin e shtetit.
Rizvanolli tha se me përfundimin e investimit të këtyre dy objekteve, shënohet investimi në 90 ndërtesa publike, duke përfshirë ato shëndetësore, universitete, qendra sociale, zyra të punësimit e të tjera.
Ajo tha se për renovimin e këtyre 90 projekteve janë shpenzuar mbi 15 milionë euro, ku planifikohet të investohet edhe në tetë të tjera deri në fund të vitit.
“Me përfundimin e investimit për renovimin e ndërtesës së Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Psikiatrisë Intensive, po shënojmë 90 ndërtesa publike të renovuara. Pra, 90 ndërtesa përfshirë objekte spitalore, shëndetësore, universitete, qendra sociale, zyrat e punësimit e të tjera që tani janë më të përshtatshme për nevojat e pacientëve, mjekëve, studentëve, profesorëve, nxënëse dhe të gjithë qytetarëve që i shfrytëzojnë ato. Kur investojmë e rinovojmë ndërtesa publike, gjithmonë kemi dy synime, t’i bëjmë ndërtesat tona publike sa më eficiente në mënyrë që të kursejmë energjinë sa më shumë që është e mundur, duke e mbrojtur kështu edhe ambientin edhe buxhetin e shtetit…Ministria e Ekonomisë në kuadër të projektit të Kosovës eficencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme, me një partneritet të shkëlqyeshëm me Bankën Botërore, me rreth 15.7 milionë euro kemi renovuar këto 90 projekte, e deri në fund të vitit do të plotësojmë edhe tetë të tjera”, tha Rizvanolli.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se me inaugurimin e Objektit të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe objektit të Psikiatrisë Intensive , fëmijët dhe adoleshentët do të kenë mundësinë edhe të hospitalizohen, përveç marrjes së shërbimeve ambulantore.
Vitia theksoi se ndërgjegjësimi mbi shëndetin mendor për fëmijët mbetet nevojë imediate.
Tutje, ai potencoi se janë ndarë mbi 100 mijë euro për të mbështetur organizatat jo qeveritare, të cilat kanë në fokus shëndetin mendor.
“Në këtë klinikë nga sot, shërbimet nuk do të jenë vetëm ambulantore, sepse tani është i mundshëm edhe hospitalizmi dhe fëmijët dhe adolenshentët dhe gjithnjë natyrisht me indikacione dhe protokole të standardizuara. Investimet në dritare, në qati, në izolim, në ndriçim në sistemin e ngrohjes në hapësirat ku do të shtohen shtretërit kanë hapur rrugë që shërbimet të bëhen shumë më miqësore për ata që kanë nevojë. Por, gjithashtu të jenë shumë më cilësore se që kanë qenë deri më tani…Në këtë vit ne kemi ndarë diku edhe rreth 100 mijë euro për të mbështetur edhe organizatat joqeveritare të cilat kanë në fokus shëndetin mendor…Ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e shëndetit mendor e me theks të veçantë për fëmijët mbetet nevojë imediate nga të gjithë ne…Për herë të parë në Klinikën e Psikiatrisë së fëmijëve siç e përmenda do të kemi edhe shtretër”, potencoi Vitia.
Massimiliano Paolucci menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut u shpreh i lumtur për inaugurimin e renovimit të këtyre dy objekteve, për çka tha se “duhet të përmirësojmë kushtet dhe të kemi kujdes për shëndetin e popullatës së qytetarëve të Kosovës”.
“Reduktimi i konsumimit të energjisë është shumë i rëndësishëm sepse siç dihet e gjithë energjia, përafërsisht shumica e energjisë vjen nga Obiliqi dhe siç e dimë aty prodhohet nga thëngjilli dhe emiton gazra gjatë prodhimit të energjisë. Dhe mendoj se kjo është me rëndësi të veçantë, sepse spitalet janë gjithmonë disa objekte të cilat në vazhdimësi konsumojnë energji elektrike sidomos ndriçimi, ngrohja, pastrimi dhe stërilizimi në dhomat operative punojnë 24 orë…Ne jemi shumë të gëzuar që jemi duke renovuar këtë, jo vetëm në spitalin e juaj por edhe ato rajonal dhe ne kemi bërë këtë me 25 për qind të arritshmërisë dhe të përmirësimit të kushteve sa i përket energjisë efiçiente që do të thotë se duhet të jemi shumë krenar me këtë. Ne duhet të përmirësojmë kushtet të kësaj dhe të kemi kujdes për shëndetin e popullatës së qytetarëve të Kosovës dhe në ardhmen gjithashtu”, tha Paolucci.