Afro 200 mijë euro për petarde e fishekëzjarre

Sivjet në Kosovë kanë hyrë 142 mijë kilogramë mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës ka filluar zbatimin e planit, i cili ka për qëllim sigurinë gjatë ditëve festive.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci për portalin rtv21.tv ka thënë se ka filluar importimi i mjeteve piroteknike dhe siç thotë ai deri më tani në vend kanë hyrë 142 mijë kilogramë mjete piroteknike në vlerë rreth 190 mijë euro.
“Deri tani kemi rreth 142 mijë kilogramë. Derisa vlera monetare e tyre është rreth 190 mijë euro”, ka thënë Stavileci.
Ai ka theksuar se impoti i mjeteve piroteknike gjatë viteve 2020 dhe 2021 ka qenë shumë i ulët krahasuar me vitet e tjera. E shkak për këtë ulje të importit është pandemia.
“Vitin e kaluar 2020 për shkak të pandemisë kemi pasur import të ulët por edhe ky vit është mjaft ulët në krahasim me vitet paraprake derisa në vitin 2020 kemi pasur vetëm 14 mijë kg me vlere rreth 12 mije euro”, ka shtuar Stavileci.
Sipas Doganës së Kosovës, fishekzjarrët dhe mjetet piroteknike importohen kryesisht nga Kina.
Në anën tjetër statistikat flasin se së paku 100 persona lëndohen rëndë e lehtë për çdo festë nga hedhja e mjeteve piroteknike!
“Lëndimet nuk riparohen! Ruani shëndetin tuaj dhe të tjerëve!”, ka bërë thirrje IKSHPK-ja përmes një postimi në “Facebook” më 27 dhejtor.
Lidhur me këtë, Policia e Kosovës sivjet ka realizuar një fushatë vetëdijësuese “Festo me zemër, jo me armë”.
Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv ka thënë se sikurse çdo vit edhe sivjet me kohë janë bërë planifikimet operacionale për festat e fundvitit dhe fillim vitin e ri 2022, me qëllim, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Sipas planifikimeve rritet prezenca policore në zonat senzitive, përfshirë në trafikun rrugor, si dhe ngritet vigjilenca policore në ambiente të hapura e sheshe të qyteteve të ndryshme”, ka thënë Policia e Kosovës në një përgjigje më shkrim për rtv21.tv.
Edhe gjatë festimit të vitit të ri 2021 janë raportuar disa incidente që kanë qenë lëndime trupore, lëndime si pasojë e përdorimit joadekuat të mjeteve piroteknike, incidente zjarri dhe dëmtim prone./21Media

Back to top button