Afro 29 mijë dhurues vullnetarë të gjakut në Kosovë

65-75 % të nevojave të pacientëve për gjak dhe përbërës të gjakut në institucione shëndetësore në Kosovë, sigurohet nga dhuruesit vullnetarë të gjakut. Këtë e konfirmoi drejtoresha e Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi e cila tha për portalin rtv21.tv se gjatë vitit 2021 vetëm nga dhuruesit vullnetarë, janë siguruar afro 29 mijë doza gjak.
“Gjatë vitit 2021 në QKKTGJ dhe qendrat e transfuzionin kemi pasur gjithësej 28945 dhurime efektive të gjakut”, tha Zhubi për rtv21.tv.
Por, kush janë këta heronj, meqenëse dhurimi i gjakut kryehet nga dhuruesit për qëllime fisnike, Zhubi nuk përmendi emra konkret.
“Për hir të korrektësisë, po përmendim iniciativën e dhurimit të gjakut nga vetë banorët e fshatërave të Kosovës, të cilët në mënyrë tradicionale organizojnë aksione të dhurimit të gjakut çdo vit, tash e 20 vite”, tha drejtoresha Zhubi.
Zhubi tutje tha se Qendra Kombëtare e Transfuzionin të Gjakut e Kosovës (QKKTGJ) furnizon me gjak dhe përbërës të gjakut të gjitha institucionet shëndetësore të autorizuara.
“Sipas legjislacionit, veprimtaria transfuzive mund të kryhet vetëm nga institucionet e autorizuara transfuzive publike, rrjedhimisht Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut(QKKTGJ) me qendrat e saja në spitalet regjionale. Poashtu sipas ligjit, QKKTGJ furnizon me gjak dhe përbërës të gjakut të gjitha institucionet shëndetësore të cilat përdorin gjakun ose përbërësit e gjakut për qëllim terapeutik”, shtoi ajo.
Drejtoresha e Transfuzionit të Gjakut, Bukurije Zhubi për portalin rtv21.tv tregoi se cilat klinika kanë nevojë të vazhdueshme për gjak.
“Kërkesat më të mëdha për gjak dhe përbërës të gjakut vijnë nga lëmi i kirurgjisë, gjinekologjisë, obstetrikës, emergjencës, onkologjisë, hematologjisë, pediatrisë”, tha Zhubi.
Dhurues standard gjakut mund të jetë çdo person, me moshë madhore prej 18 deri 65 vjet, i cili plotëson kriteret mbi përshtatshmërinë fizike e shëndetësore për dhurimin e gjakut./21Media

Back to top button