Afro 5 mijë persona mbetën pa patentë shoferë

Policia e Kosovës po vazhdon me aktivitete që kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve. Krahas kësaj, shoferëve po iu konfiskohen patentë shoferët.
Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur se për gjashtë muajt e parë të vitit 2022 janë konfiskuar afro 5 mijë patentë shoferë.
“Gjatë periudhës kohore janar-qershor 2022, gjithësej 4734 shoferëve ju është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për rtv21.tv.
Ndërsa, gjatë vitit 2021 iu është ndaluar drejtimi i automjeteve 7 mijë e 485 shoferëve.
Siç tregojnë statistikat zyrtare të siguruar nga portali rtv21.tv, numri i aksidenteve në territorin e Kosovës është rritur.
Në periudhën janar – qershor 2022 kanë ndodhur gjithsej 9 mijë e 352 aksidente, apo në një mesatare prej 1 mijë e 500 aksidente në muaj. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak numri i aksidenteve është rritur për 108.
Përveç patentë shoferëve të konfiskuar, policia ka shqiptuar edhe tiketa dënimi. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 321 mijë e 594 shoferë janë gjobitur për shkelje të rregullave në trafik./21Media

Back to top button