Agim Ademit i caktohet masa e arrestit shtëpiak për 30 ditë

Përmes një komunikate nga Gjykata Themelore e Prishtinës është konfirmuar se është caktuar masa e sigurisë për presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Ademi dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ku edhe u intervistua dje nga policia dhe më pas u dërgua për trajtim mjekësorë në QKUK.

Bëhet e ditur se Departamenti i Përgjithshëm Penal ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë që Agim Ademit t’i caktohet masa e sigurisë në formën e arrestit shtëpiak.

Ademi akuzohet për “Keqpërdorim i besimit” dhe për “Shmangie të tatimit”.

Gjyqtari i procedurës e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë që Agim Ademi të jetë në arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Ndërkaq, në rast të mosrespektimit të kësaj mase, Ademit do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit.

Më poshtë e gjeni komunikatën e plotë të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Është caktuar masa e sigurisë për të pandehurin A.A për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale

Prishtinë, 22 mars 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak në çështjen penale kundër të pandehurit A.A, për shkak të veprës penale Keqpërdorim i besimit nga neni 330 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 307 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak për të pandehurin A.M e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e Arrestit Shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, të pandehurit A.A do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake, pas dëgjimit të prokurorit të shtetit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, me faktin nëse ekzistojnë arsyet për caktim e masës së arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës penale për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak, konstaton se ne bazë të provave të cilat gjenden ne shkresat e lëndës plotësohet kushti i përgjithshëm ligjor nga neni 181 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të KPP-së, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, poashtu gjykata konstaton se përmbushet edhe kushti i veçantë nga neni 181 paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 lidhur me nenin 184 par. 2, pika 1.2.2 dhe pika 1.2.3 të KPP-së.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”.

Back to top button