Agim Ademit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak

Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademit i është ndërprerë arresti shtëpiak, dhe është liruar menjëherë nga kjo masë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila tha se Ademi është liruar menjëherë nga kjo masë.

“Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Penal, në çështjen penale kundër të pandehurit A.A, për shkak të veprës penale Keqpërdorim i besimit nga neni 330 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 307 paragrafi 1 të KPRK-së, ka vendosur sipas kërkesës së mbrojtjes së të pandehurit, për zëvendësimin e masës së Arrestit shtëpiak në masën Paraqitja në stacion policor dhe dorëzani, dhe pas marrjes së përgjigjes nga Prokurori i Shtetit me datën 14.04.2023, mori Aktvendim me të cilin është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së të pandehurit për zëvendësimin e masës së Arrestit shtëpiak në masën Paraqitja në stacion policor dhe dorëzani, dhe i ndërpritet masa e Arrestit Shtëpiak. I pandehuri A.A lirohet menjëherë nga kjo masë”, tha Gashi.

Agim Ademi ishte në arrest shtëpiak për afro një muaj pasi që dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, e po ashtu dyshohet për shmangie nga tatimi.

Back to top button