Agim Aliu për RTV21 tregon cilat projekte kanë filluar të jetësohen në Ferizaj

Komuna e Ferizajt, e udhëhequr nga kryetari Agim Aliu si projekt të parë në këtë mandat e ka filluar rikonstruimin e rrugës “Ahmet Kaqiku”.
Agim Aliu në një intervistë për portalin rtv21.tv ka folur edhe për projektet tjera që po ashtu janë inicuar.
“Është bërë inicimi i konkursit për hartimin e projektit detal: “Pyllëzimi dhe rregullimi i parkut në “Kodrën e Sherretëve” , “Rregullimi i kanalizimit fekal dhe rrugëve në lagjen Mehaj, fshati Dremjak”, “Përmirësimi i shërbimeve përmes uljeve të shpenzimeve në sektorin e shërbimeve të Komunës” – Auditimi i energjisë, “Ndërtimi i trotuarit në rrugën kryesore të fshatit dhe rrugëve të mbetura në fshatin Komogllavë – faza II” “Asfaltimi i rrugicave në Bablak dhe rrugicave të mbetura në fshatrat Tërn dhe Prelez i Jerlive”, ka thënë Aliu.
Ndërsa, i pari i Ferizajt përmendi edhe projektin që sipas tij do të fillojë shumë shpejt. Aliu për rtv21.tv ka bërë të ditur se ky projekt ka të bëjë me vendosjen e paneleve solare në disa shkolla.
“Shumë shpejt pritete të fillojë edhe një projket i cili është fituar nga Bashkimi Evropian – Bashkëpunimi Kufitar, Ferizaj – Çair. Ky projekt ka të bëjë me vendosjen e paneleve solare në katër institucione arsimore; në shkollën “Gjon Serreçi”, “Jeronim de Rada”, Gjimnazi “Kuvendi Arberit” si dhe në Çerdhen “Ardhmëria””, ka thënë Aliu.
Kryetari i kësaj komune për portalin rtv21.tv ka zbuluar se do të ndërtohet nënkalimi për vetura dhe këmbësor afër stacionit policor duke thënë se do të jetë projekti më i madh që do të jetësohet gjatë këtij mandati në Ferizaj.
Ai ka theksuar se në Ferizaj prioritet janë investimet në hapësira të gjelbra.
Buxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2022 është 33 milionë e 933 mijë e 868 euro. Aliu ka sqaruar se nga granti i qeverisë janë 28 milionë e 16 mijë e 509 euro, ndërsa nga të hyrat vetanake janë 5 milionë e 917 mijë e 359 euro.
Megjithatë, Agim Aliu ka thënë se ky buxhet nuk është i mjaftueshëm, për shkak të borxheve që ka pasur në të kaluaren.
“Duke marrë për bazë që Komuna e Ferizajt është ndër 2 komunat më të mëdha të Republikës së Kosovës, nuk mund të themi që ky buxhet është i mjaftueshëm shto faktin që komuna e Ferizajt nga viti 2014-2017 ka pasur mbi 41 milionë borxhe, që është një fakt rëndues sa i përket buxhetit të Komunës sonë”, ka shtuar Aliu.
Ndërsa, sa i përket rasteve sociale, sipas kryetarit në vitin 2021 në Ferizaj kanë qenë të regjistruara 1 mijë e 33 familje.
“Të gjitha këto familje marrin pensionin social gjithashtu në shumë raste që ndihmojm edhe me ndihma – pako ushqimore, lënd djegësë (dru)”, ka thënë kryetari Aliu.
E sa i përket planeve në shëndetësi, kryetarit ka thënë se e ka në plan ndërtimin e disa Qendrave të Mjekësisë Familjare.
“Planet e shëndetësisë janë vazhdimi i përmisimit të shërbimeve ndaj pacienteve, krijimi i kushteve të stafit shëndetësor, ndërtimi i QKMF-kryesore si dhe QMF2 pastaj edhe ndërtimin e e QMF-ve në disa fshatra të Ferizajt”, ka thënë Aliu.
Agim Aliu ka sigurur edhe një mandat në krye të Komunës së Ferizajt në zgjedhjet lokale të vitit 2021./21Media

Back to top button