Agjencia e Kosovës për Akreditim pranohet zyrtarisht në ShBA

Bordi i Këshillit për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në SHBA e ka pranuar për shtatë vjet (deri me 31.12.2033) Agjencinë e Kosovës për Akreditim, me statusin e “autoritetit akreditues” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në njoftimin zyrtar të dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi, Loretta C. Waldron, zëvendëspresidente për Shërbime të Njohjes në Këshillin për Akreditimin e Arsimit të Lartë në SHBA, konfirmon se “Bordi i Drejtorëve të CHEA-s ka miratuar rekomandimin e Komitetit dhe e ka njohur Agjencinë e Kosovës për Akreditim si autoritet akreditues”.
Kosova bëhet shteti i parë dhe i vetëm aktualisht në Evropë me këtë status të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo njohje nga SHBA-të vjen më pak se një vit pasi Agjencia e Kosovës për Akreditim u regjistrua në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), duke e bërë Kosovën shtetin e vetëm në Ballkanin Perëndimor me këtë status.
“Ky vendim vjen si rezultat i një procesi të gjerë dhe të kujdesshëm vlerësimi dhe përbën një dëshmi të qartë të reformave të ndërmarra, profesionalizmit institucional dhe përkushtimit të vazhdueshëm të AKA-së për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë”, thuhet në komunikatë.
Sipas AKA, kjo njohje forcon kredibilitetin ndërkombëtar të sistemit të akreditimit në Kosovë, rrit besueshmërinë e programeve të studimit dhe hap mundësi të reja për studentët, institucionet e arsimit të lartë dhe diasporën.
“Për studentët, kjo nënkupton më shumë mundësi për vazhdim të studimeve, mobilitet akademik dhe lehtësim në njohjen dhe vlerësimin e diplomave të tyre jashtë vendit. Për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, ky është një nxitje e rëndësishme për thellim të bashkëpunimit me universitetet ndërkombëtare, veçanërisht ato amerikane, si dhe për avancim të mëtejshëm të standardeve akademike dhe cilësisë së programeve studimore.”
AKA, përmes komunikatës, ka vlerësuar se “ky është një moment krenarie për Kosovën dhe një hap i madh përpara për sistemin e arsimit të lartë në vend.