Agjenda evropiane, ministri Reka ftohet më 3 mars në Komisionin për integrime

Komisioni për Integrime miratoi sot unanimisht draft-planin e punës për vitin 2020

Anëtarja e Komisioni për Integrime nga radhët e PDK-së Blerta Deliu-Kodra tha se Qeveria Kurti nuk ka proceduar asnjë projektligj ende në Kuvend për shqyrtim.

“Është për keqardhje që asnjë projektligj i Qeverisë nuk e kemi në kuvend dhe besoj që nevojat e qytetarëve janë të mëdha. Po ashtu kjo Qeveri nuk ka as plan qeverisës ende. Propozoj që të ftohet në Komision edhe ministri i Integrimeve Evropiane për planin e tij në integrimet evropiane”, tha ajo.

Por, anëtarja tjetër e Komisionit, Fitore Pacolli nga VV kërkoi nga Qeveria Kurti të mos ngutet në lidhje me nxjerrjen e ligjeve të reja, pasi ‘ato duhet të jenë ligje të mira’. Ajo tha se Komisioni për Integrime përveç liberalizimit të vizave, duhet t’i qaset edhe procesit të njohjeve të reja nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Lidhur me qëndrimet deputetes Pacolli, Haxhi Shala-anëtar nga radhët e Nisma-s tha se askush në Komision nuk duhet të marrë rolin e zëdhënësit të Qeverisë.

Kryetari i Komisionit për Integrime, Armend Zemaj nga radhët e LDK-së tha se do të ketë aktivitete për njohjen e shtetit të Kosovës dhe do të punohet për shtyrjen përpara të procesit të integrimeve evropiane. Ai bëri të ditur se më 3 mars është i ftuar në Komision ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka për agjendën evropiane.

Back to top button