AGK: Qeveria ka shfaqur tendencën për kontroll partiak të RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar për dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
AGK-ja në reagimit e saj ka thënë se “Qeveria nëpërmjet eksponentëve të saj, duke përfshirë deputetë, edhe publikisht e ka shfaqur tendencën për kontroll partiak”.
AGK-ja tha se në vend të presionit publik, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përkujdesen për të siguruar funksionimin e papenguar financiar të RTK-së “dhe të gjejnë zgjidhje për pronën e saj”.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e muajve të fundit në RTK, që kanë rezultuar të dielën me largimin e Shkumbin Ahmetxhekajt nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar në një letër të organizatave ndërkombëtare të lirisë së medies. Ahmetxhekaj, një gazetar shumëvjeçar në Transmetuesin Publik ka treguar për ‘presion politik 7 mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik’. Bordi i RTK-së, duhet të shpjegojë nëse i nënshtrohet presionit politik në vendim-marrjen e vet, dhe nëse detyrimi për largimin e Ahmetxhekajt, ka ardhur si pasojë e kësaj. Bordi aktual, që ka miratuar dorëheqjen e Ahmetxhekajt, më herët kishte emëruar në postin e Drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvallën, një ish-aktivist dhe financues i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?