Kapet ari i padeklaruar në kufi, Policia dhe Dogana e Kosovës ndërhyjnë në Han të Elezit

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me ar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, gjatë një operacioni të realizuar mbi bazën e informacioneve inteligjente.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është zbuluar sot rreth orës 16:10, kur është ndaluar për kontroll të detajuar një autobus i linjës së rregullt Serbi – Maqedonia e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë me inicialet M.L.
“Gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në çantën e një pasagjereje (J.H.) janë zbuluar stoli ari të ndryshme, të fshehura në një qese të mbyllur. Po ashtu, tek drejtuesi i autobusit janë gjetur edhe disa stoli ari të fshehura në xhaketën e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas autoriteteve, në total janë sekuestruar 129.76 gramë ari i padeklaruar, përfshirë varëse, unaza, rrathë dore dhe një medaljon. Ari i konfiskuar nuk ishte deklaruar në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës dhe është marrë nga Dogana e Kosovës për procedura të mëtejshme.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?