AGK-ja e dënon gjuhën e papranueshme të Lumir Abdixhikut kundër mediave dhe gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e dënon ashpër gjuhën e përsëritur akuzuese të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku ndaj mediave dhe gazetarëve në Kosovë.
Mbrëmë Abdixhiku në një intervistë televizive ka folur prapë për “mercenarë medialë” duke thënë se “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se iu rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”.
AGK-ja këto pretendime të Abdixhikut i cilëson si sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë.
AGK-ja e fton zoti Abdixhiku të heqë dorë nga këto spekulime dhe nëse ka fakte t’i denoncojë ato në organet përgjegjëse. AGK-ja gjithashtu e fton zotin Abdixhiku që bashkë me 14 deputetët e tjerë të partisë së tij në kuvend, LDK-ja të kontribuojë për një ambient të lirë medial.